Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me nënpresidenten amerikane, Kamala Harris.
Osmani tha se ka biseduar me nënpresidenten Harris për çështjen e strehimit të qytetarëve afganë, të cilët kanë ikur nga talibanët.
“Nënpresidentja Harris theksoi se SHBA-ja është thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikpritjen e mijëra qytetarëve afganë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Zyra e Osmanit.
Kosova ka shprehur gatishmërinë që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat e SHBA-së dhe NATO-s. Deri më tani në Kosovë janë strehuar rreth 500 afganë.
Gjatë kësaj bisede telefonike, po ashtu është diskutuar për çështjen e pandemisë, ku Osmani ka shprehur falënderimin për donacionin mbi gjysmë milion doza të vaksinave Pfizer, që SHBA-ja ka nisur të dërgojë në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka ftuar Harris të vizitojë Kosovën dhe “dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




