Futboll

Oskar Tabarez, profesori i futbollit në stilin e vjetër

Rreth 150 vite më parë, që nga koha, kur futbolli u zbulua në fushat e lojërave me baltë të shkollave të konvikteve në Angli, ky sport ka ndryshuar aq shumë sa që do të ishte pothuajse i panjohur për djemtë me “gjak blu” që luanin me topin e rëndë prej lëkure.

Por nuk ka ndryshuar çdo gjë plotësisht. Sepse në një vend të vogël në lumin Vollga, një 71-vjeçar me flokë të thinjur që ecën me një bastun, të cilin e quajnë “El Maestro”, vazhdon të edukojë të rinj me karakter dhe që të fitojnë ndeshjet e Kupës së Botës.

Emri i tij është Oskar Tabarez. Që prej 12 vitesh në krye të ekipit kombëtar të Uruguajit, ai ka ndihmuar të kthejë një vend prej 3.5 milionësh në një prej ekipeve më të mira në futbollin botëror duke trajtuar lojtarët e tij sikur ai të ishte një kujdestar në Eton ose Harroë.

Ashtu si çdo shkollë britanike, Tabarez ka thënë se qëllimi i tij kryesor është që të formojë njerëz të mprehtë. Ai jep mësime rreth respektit, mirësjelljes dhe rëndësisë së sjelljeve të mira. Sipas kërkesës së Tabezrez, Uruguai mund të jetë i vetmi ekip në Rusi që mund të ketë milionerë në skuadër që ndajnë dhomën e gjumit gjatë gjithë kohës së zhvillimit të turneut dhe pinë çaj vazhdimisht.

“Ai gjithmonë thoshte se të jesh një lojtar futbolli është një profesion, por është mënyra sesi sillesh si një qenie njerëzore është shummë e rëndësishme. Ju mund të jeni një lojtar i talentuar, por nëse nuk silleni mirë, kjo do të reflektojë keq dhe në ekipet tuaja", ka thënë Diego Forlan, ish-kapiten i Uruguait nën drejtimin e Tabarez.

Asnjëherë nuk kishte ndodhur më keq se viti i tij i parë në 2006, kur Tabarez mori drejtimin e kombëtares, kur skuadra nuk u kualifikua në turneun e vitit 2006. Ndonëse Uruguai fitoi Kupën Botërore në vitet 1930 dhe 1950, kur skuadrat udhëtonin ende me varka, epoka moderne ishte më pak e suksesshme për “Celeste”. Ekipi nuk kishte qenë pranë një gjysmëfinale të Kupës së Botës që nga viti 1970. Më keq akoma, Uruguai kishte fituar një reputacion si një skuadër që bënte lojë fizike dhe shumë të ashpër.

Kur u thirr Tabarez për ta rregulluar atë gjendje, ai e identifikoi menjëherë problemin. Uruguai kishte lojtarë të talentuar, por mungonte struktura për t'i kthyer ata në qytetarë të shtresës së lartë. Ai hartoi një plan për të rindërtuar trajnimin e ekipeve kombëtare, një dosje e titulluar, "Projekti për Institucionalizimin e Proceseve të Ekipeve Kombëtare dhe Trajnimin e Lojtarëve të Futbollit”.

Dokumenti ishte si një dokument taktik dhe teknik apo kartë prezantimi për programin e tij. "Një talent i ri duhet të stërvitet dhe të përgatitet për sfidat e jetës", shkruante Tabarez. "I riu duhet të studiojë, ne nuk duhet ta pengojmë këtë, duhet ta favorizojmë atë, e rrisi potencialin e tij sportiv", shtonte më tej strategu uruguajan.

Menaxherët e tjerë në Kupën e Botës thjesht trajnojnë skuadrën e tyre. Por, Tabarez u bë drejtues i gjithë programit të trajnimit të kombëtares, nga U-15 në ekipin që udhëton në Kupën e Botës. Çdo lojtarë i këtyre grupmoshave do të vinte për të stërvitur në qendrën kombëtare të trajnimit, nën mbikëqyrjen e Tabarez ku ai mund të vëzhgonte nga afër zhvillimin e tyre si lojtarë, por edhe si njerëz.

Së pari, për Tabarez ambientet duhej të ishin të denja. Kompleksi i kombëtares “Celeste” jashtë Montevidos kishte nevojë për të nxitur një ndjenjë trashëgimie. Kështu ai filloi duke zbukuruar muret me foto të bardha e të kaltra të lojtarëve që kishin luftuar për ngjyrat e ekipit uruguaian më herët. Dhe jashtë ambineteve, ai i sugjeroi federatës për të instaluar një zgarë tradicionale uruguaiane që mund të shërbente si kamp, ku ai mund të ulej me lojtarët dhe të tregonte histori gjatë natës.

Atmosfera akademike që solli Tabarez nuk ishte rastësi. Para se të bëhej trajner futbolli, ai kishte qenë mësues në një shkollë fillore. Edhe në ditët e sotme, ai pëlqen t’i edukojë lojtarët e tij për historinë, gjeografinë, artet dhe çdo gjë tjetër që ai e gjen interesante. Kjo gjithashtu është pjesë e korrikulumit të Tabarez.

"Një herë ne luajtëm në Japoni dhe ishim duke folur për mënyrën se si u habitëm nga kultura. Pas darkës, “El Maestro” i mori djemtë së bashku dhe ne po e dëgjonim atë të fliste për Japoninë, historinë e saj, gjithçka që ka ndodhur në atë vend. Ai është një njeri me shumë njohuri", i tha Forlan, një analisti të Telemundo Deportes në Kupën e Botës.

Tabarez organizon udhëtime për lojtarët e rinj që të vizitojnë muzetë dhe teatrot. Ai i angazhon lojtarët e tij në tema të ndryshme si muzika klasike dhe botanika. "Ajo që Tabarez e di për bimët është e jashtëzakonshme", ka thënë Claudio Pagani, i cili drejton kompleksin kombëtar të trajnimit të Uruguajit.

Tabarez gjithashtu është shumë ngulmues për sjellje të mirë. Shumë yje uruguaianë e kanë pësuar nga rregulli i tij i këpucëve të pastra. Gjithashtu ka rregulla të rrepta për të mos lënë pjatat në tavolinë ose për të mos i vënë këmbët lart në karrige. Përdorimi i celularëve është i ndaluar gjatë mëngjesit, drekës, dhe gjatë bisedave në grupe apo takimeve.

Tabarez dëshiron që lojtarët të bisedojnë me njëri-tjetrin, edhe nëse është vetëm një përshëndetje.

"Kur fëmijët vijnë nga U-15, themi se këtu janë dy gjëra që nuk mund të mungojnë: mënyra se si i përshëndetni njerëzit kur të mbërrini dhe si ndërveprojnë me njerëzit që punojnë këtu. Nuk ka rëndësi nëse nuk i njihni ata, është një shenjë e bashkëjetesës dhe respektit", citon ai në librin e tij të ri, "Mjeshtri: Trashgimia e Tabarez”.

Kjo lloj sjellje përcillet gjithashtu edhe në fushë. Para se Uruguaji të garojë në çdo turne në nivel ndëkombëtar për të rinjtë, Tabarez i jep leksione ekipit mbi sjelljen. Mesazhi i tij është gjithmonë i njëjtë: Asnjë gabim, asnjë sjellje e keqe dhe çfarëdo që të ndodhë, nuk debatohet me gjyqtarët.

Por ashtu si çdo mësues, “El Maestro” e di se disa mësime në një vesh hyjnë dhe nga tjetri dalin. Gjatë kohës së tij në krye të pankinës së Uruguajit, ai ka parë sulmuesin Luis Suarez të kapë topin me dorë në finalet e Kupës së Botës 2010 dhe të kafshonte kundërshtarin në Kupën e Botës 2014. Gjithashtu ekipi i tij ka grumbulluar tetë kartonë të kuq në kampionatet e fundit botërorë, por edhe kartonë të verdhë të panumërt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë