Treg

OSHEE propozon tre ndryshimet e çmimit të energjisë për furrat e bukës, nga 7.6-12 lekë/kWh sipas produkteve

Nga Gazeta ‘Si’ – OSHEE ka propozuar ndryshimin e çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës, pastiçeritë si dhe ato ambiente që kanë të përfshirë bar-kafe.

Gjatë një takimi me përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Ministrja e Energjisë Belinda Balluku dhe administratori i OSHEE-së Enea Karakaçi njoftuan se propozimi është bërë për tre fasha.

“Sot ne vijmë me një propozim që ka 3 çmime. Ka një çmim që është 7.6 lekë për kilovatorë që është vetëm për ato subjekte që kanë vetëm furrë buke, asgjë tjetër. Kemi një çmim 9.5 lekë që është për ato ambiente që kanë furra buke por që kanë dhe aktivitete pak më të integruara siç mund të jetë shitja e pastiçerisë apo dhe e produkteve të tjera të brumrave. Dhe kemi një çmim tjetër që është 12 lekë që është për ato ambiente që janë më të zgjeruara që kanë të përfshirë bar dhe kafe”, deklaroi Karakaçi.

Balluku tha se furrat e bukës konsumojnë rreth 66 milionë kilovatorë në vit, përkthyer në 500 milionë lekë.

“Furrat e bukës konsumojnë rreth 66 milionë kilovatorë në vit. Është një nga konsumatorët më të rëndësishëm që ne kemi të lidhur në sistemin tonë dhe nga ana tjetër ka qenë gjithmonë një debat i hapur pa një zgjidhje permanente që sigurisht do të akomodonte edhe nevojën e shoqatës tuaj, por nga ana tjetër nuk do të dëmtohej edhe OSHEE-ja.

Ju e dini shumë mirë luftën e madhe që kemi bërë për të shëndoshur këtë sistem qoftë nga ana teknike, Operatorin e Shpërndarjes, qoftë nga ana e një shëndoshjeje financiare e cila ka të bëjë edhe me faturimin edhe me mbledhjen e të ardhurave. Ndaj i gjithë procesi është bërë duke treguar kujdes për të dy palët, edhe për furrat e bukës dhe biznesin, por edhe për OSHEE-në sepse siç ju thashë 66 milionë kilovatorë në vit janë një shifër e rëndësishme e përkthyer në 500 milionë lekë për kompaninë”, deklaroi Balluku.

Aktualisht furrat e bukës paguajnë një tarifë 7.6 lekë/ kWh sipas një çmimi të vendosur nga Enti Rregullator vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë