Nga Gazeta ‘Si’- Në raportin e OSBE- ODIHR për zgjedhjet e 11 majit flitet edhe për mbylljen e TikTok me vendim të qeverisë.
Në raport evidentohet se fushata në rrjetet sociale nuk ishte e rregulluar me ligj dhe se nuk ishte caktuar asnjë autoritet për ta monitoruar atë.
Më tej, raporti thotë se mbyllja e TikTok kufizoi mundësitë e disa kandidatëve për fushatë.
“Fushata në rrjetet sociale nuk ishte e rregulluar me ligj dhe asnjë autoritet nuk ishte ngarkuar për ta monitoruar atë. Megjithëse shumica e partive politike kishin nënshkruar një Kod Sjelljeje për Fushatat Digjitale, disa subjekte përhapën përmbajtje përçarëse ose manipuluese, ndërsa llogari të palëve të treta dyshohet se përdorën veprimtari të koordinuar të rreme në platformat online për të amplifikuar sulmet ndaj opozitës.
Pjesëmarrësit në garë e shfrytëzuan në mënyrë aktive Facebook dhe Instagram, ndërsa ndalimi i TikTok nga qeveria, që hyri në fuqi më 6 mars 2025, kufizoi mundësitë e disa kandidatëve për të bërë fushatë.
Megjithëse KQZ-ja konstatoi shkelje në postimet e institucioneve publike, ajo i ndërpreu hetimet në disa raste, dhe përpjekjet e saj të përgjithshme për monitorim mbetën të kufizuara në fushëveprim dhe efektivitet”, thuhet në raport.
Raporti gjithashtu vëren se nuk ka pasur ndërhyrje të huaja duke shtuar se nuk është raportuar asnjë incident kibernetik që mund të ketë ndikuar në zgjedhje.
“Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike mbështeti KQZ-në me testime shtesë sigurie, vlerësime teknike dhe rekomandime për përmirësim; në vitin 2025, fokusi i veçantë ishte në sigurimin e platformave të regjistrimit OCV dhe të dhënave personale të votuesve të diasporës.
Ndërsa disa institucione shqiptare kanë qenë shënjestër e sulmeve kibernetike të motivuara politikisht në vitet e fundit, bashkëbiseduesit e MVZ-së së ODIHR-it nuk raportuan shqetësim në lidhje me ndërhyrjen kibernetike të huaj në lidhje me zgjedhjet dhe nuk u raportua asnjë incident kibernetik që të ketë ndikuar në zgjedhje”, thuhet në raport.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



