Nga Gazeta ‘Si’- Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR publikoi gjetjet e raportit paraprak për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Misioni i vlerësoi si transparente zgjedhjet, pavarësisht klimës së thellë të polarizimit politik.
Në konferencën për shtyp, përfaqësuesja e misionit, Farah Karimi theksoi se qytetarët treguan përkushtim ndaj demokracisë, përfshirë edhe votuesit nga diaspora të cilët votuan për herë të parë.
“Populli shqiptar tregoi angazhim të fortë ndaj demokracisë, klimë tejet të polarizuar, ata dolën, morën pjesë dhe bënë që zëri i tyre të dëgjohet. Që nga votuesit që votuan për herë të parë, deri tek votuesit nga jashtë shtetit, deri tek vëzhguesit, ata janë zemra e këtij procesi demokratik. Në këtë frymë, në respekt të njerëzve do ndaja disa nga pikat e konstatimeve.
Zgjedhjet e 2025, ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, ndodhën në një klimë tejet të polarizuar dhe kandidatët patën mundësi të bënin fushatë në mënyrë të lirshme edhe pse disa raportuan se kishin pasur intimidim”, tha ajo.
Megjithatë, përfaqësuesja e misionit tha se në procesin zgjedhor pati disa raste për mosrespektim të procedurave, duke theksuar se u shënuan disa incidente intimidimi dhe ndikim tek zgjedhësit për probleme me procedurat dhe transparencën.
“Vota e diasporës, që u zhvillua për herë të parë, u menaxhua mirë, pavarësisht marrëveshjes politike të arritur me vonesë dhe miratimit me vonesë. Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë. Pati edhe raste pretendimesh për presione ndaj zgjedhësve”, thanë nga OSBE-ODIHR.
Ajo komentoi edhe faljen e gjobave nga ana e qeverisë, disa ditë para zgjedhjeve duke thënë se krijoi pasiguri dhe tha se fushata u fokusua në sulme armiqësore dhe personale sidomos nga drejtuesit e dy partive kryesore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.