Ka ndodhur

Orteku i dëborës bllokon aksin Bogë-Theth, Prefektja e Shkodrës: Situatë e menaxhueshme

Gazeta Si - Nga Oboti, ku inspektoi situatën e krijuar nga moti i keq, prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni tha se deri më tani situata është e menaxhueshme dhe se të gjitha ekipet e emergjencave janë në gatishmëri të plotë. Sa i përket rrugëve të bllokuara nga bora, problem paraqet vetëm Qafë Thore-Bogë.

Në Tamarë-Vermosh ka pasur reshje dëbore, ku është punuar me mjete e punëtorë dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

Në aksin Bogë-Theth në zonën e tuneleve ka pasur rënie orteqesh, duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe pastrimin e rrugës pasi rënia vazhdon të jetë aktive.

Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni teksa inspektoi zonën e përmbytur të Anës së Malit, u shpreh se kjo situatë ishte e pritshme. Kjo siç tha ajo, sepse prurjet e lumenjve janë të mëdha dhe vijojnë prej ditësh.

“Jemi në një situatë shumë të menaxhueshme. Kemi një rritje të Bunës për shkak se kemi rritje të liqenit të Shkodrës. Jemi në pikë kyçe, por jemi pikërisht në momentin për ta menaxhuar".

Prefektja e Shkodrës Majlinda Angoni

Sipas saj, "kemi situatë shumë të vështirë sepse përveç shiut, kemi edhe reshje të dendura bore. Nga informacionet që kemi të gjitha rrugët janë të zhbllokuara, por lëvizet me vështirësi nga Tamara deri në Vermosh. Lëvizet me vështirësi edhe nga Boga deri në Qafë-Thore, ku kemi rënie orteqesh përtej tuneleve. Kështu që kjo rrugë për momentin është e bllokuar".

Angoni shtoi se "përveç rrugëve nga Tamara-Vermosh që këshillohet të bëhet me zinxhirë, po merren masat nga të gjithë firmat kontrakore. Shtabet e emergjencave janë në gatishmëri të plotë”.

ARSH apelon që të tregohet kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, të pajiseni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë