Mbrëmjen e sotme përballë Teutës, Orges Shehi do të zhvillojë ndeshjen e tij të 104-t në krye të bardhebluve, 5 javë përpara përfundimit të këtij sezoni dhe 5 pikë përpara vendit të dytë, që aktualisht është Partizani.
Ishte 30 janari i vitit 2021 kur pa një eksperiencë të madhe si trajner, sepse më parë kish drejtuar vetëm Skënderbeun e vogël, të problemeve të mëdha dhe jo atë të madhin kur ai luante vetë. Dhe pas Skënderbeut drejtoi pak kohë Kukësin, ku sipas presidentit Gjici nuk ishte i duhuri.
Me një histori të tillë trajningu, pak besuan se do të ishte ai që do të mund të rikthente Tiranën kampione, pas Emanuel Egbos, dy vite përpara tij, që si për rastësi edhe ai ishte një ish-portier.
Javët e muajt kaluan dhe duke i hedhur një sy historisë, Orges Shehi është trajneri më jetëgjatë i Tiranës në periudhën e “demokracisë“ pa shkëputje nga detyra. Përpara tij vetëm legjendat bardheblu, si Myslym Alla apo Enver Shehu dhe Shyqyri Rreli e kishin mbajtur këtë skuadër nën drejtim për shumë vite pa ndërprerje. Sigurisht edhe Shkëlqim Muça ka drejtuar me mbi 180 ndeshje Tiranën, por në 3-4 periudha të ndryshme të shkëputura.
Sot trajneri durrsak i bardhebluve do të luajë përpara skuadrës së qytetit të tij të lindjes, si një nga 5 finalet e fundit për ta shpallur kampion për të dytin vit radhazi, si askush më parë në këto tri dekada ‘Demokraci’. Në një intervistë për Gazetën Si, trajneri Shehi tregon dy Tiranat e tij, atë kampionen dhe këtë të këtij viti, një ecuri suksesi në dukje, por ndryshe nga ajo histori e suksesshme e Skënderbeut që vetë Shehi ka përjetuar si lojtar.
5 ndeshje nga fundi i kampionatit dhe 5 pikë para. E kishe menduar ndonjëherë këtë gjë në fillim të kampionatit?
Jo nuk e kisha mendur, sidomos në janar, kur ikën lojtarë më shumë se ç’morëm, plus dëmtimi I Patrik na i vështirësoi gjërat më tepër që në mendim, por pa dyshim edhe në praktikë.
Cfarë ka ndryshe ky sezon për ty? Një vit më parë fituat titullin, hera e parë në karrierë si trajner?
Ky sezon ka ndryshe sepse kemi pas tranzicion lojtarësh në dy periudhat e merkatos, në muajin gusht dhe janar, dhe të bëhet shumë shumë e vështirë të riformatosh ekipin në dy pjesë të ndryshme të të njëjtit kampionat. Ndërsa vitin e kaluar ekipin e kisha njësoj nga fillimi deri në fund.
Sa besoni që mund t’ia dilni të përsërisni veten në këtë pikë të kampionatit?
Duhet të vazhdojmë me këtë mentalitet, përqëndrim shpirt sakrifice, përpos vështirësive që kemi përbrenda në shumë aspekte.
Cili ishte momenti më i vështirë i këtij viti për ju?
Momenti më i vështirë ka qenë pas humbjeve në derbi me Partizanin dhe me Teutën. Në ato dy hymbje radhazi m’u kujtua shprehja e Fatih Terim “që njerëzit gjithmonë mendojnë se kur një trajner ngjitet në majë është meritë e të gjithëve, ndërsa kur bie nga maja, bie vetëm.”
Ndeshja që ju ka kënaqur më tepër deri më tani?
Ndeshjet që më kanë kënaqur më shumë janë këto ndeshjet e fundit që sakrifica e lojtarëve është për t’u vlerësuar shumë.

Sot ju jeni trajneri më jetëgjatë e ndër më të suksesshmit të bardhebluve? Veç rezultatit çfarë mendoni se ju a ka zgjatur këtë aventurë?
Në krye dhe ende në punë, besoj se një trajner e mbajnë vetëm rezultatet.
Shpesh flitet për mentalitetin, fitues që ta jep një brez, një histori një fanellë, tifozët e Tiranës e përmendin shpesh e ndjeni ju këtë? Edhe pse si lojtarë kenë provuar shumë suksese me klube të tjera? Ça do të thotë kjo?
Të jesh pjesë e Tiranës është përgjegjësi dhe privilegj, sepse në këtë klub kanë luajtur dhe drejtuar lojtarë e trajnerë shumë të mirë. Kjo gjë të ushtron presion kur je aktual, sepse duhet të jesh më i miri gjithmonë. Unë personalisht i them lojtarëve shpesh, të fitosh një herë ndoshta është edhe rastësi, por të jesh fitues për shumë kohë do të thotë që ke brum fitimtari.
Skuadra e fundit që përsëriste titujt e fituar radhazi ishte Skënderbeu që ju ishit lojtarë. Ku ndryshon me Tiranën ai ekip i suksesshëm?
Skënderbeu ishte fitues për aq kohë, sepse nuk ndryshonte lojtarët kryesorë, pra mbante boshtin për një kohë të gjatë bashkë. Te Tirana dhe skuadrat tjera nuk po ndodh kjo gjë për fat të keq.
Tirana vjet kampione me Tiranën këtë vit pranë titullit, ju kanë ndryshuar 13 lojtarë formacioni? Mund të m’i përmendi dhe si do ishte nëse nuk do të ndryshonte ai ekip?
Toli, Totre, Seferi, Hoxhallari, Ismailgeci limaj, Da Silva, Xhixha, Ngo, Hoti, Muça, Zhivanaj, Beshiraj dhe Kuka. Këtë vit kemi ndyshuar shumë lojtarë, nuk është e lehtë nga ai ekip që del kampion të ikin aq shumë lojtarë, por gjithsesi jam shumë i kënaqur me atë që po japin lojtarët këtë sezon.
Kë shembull trajneri kini në karrierë?
Vetëm një trajner që më pëlqen nuk arrij të gjej dot, pasi preferoj trajnerë ndër më të mirët në Europë, si Anceloti, Guardiola dhe Klop. Me veçori të ndryshme që nuk i ndaj dot.
Shpesh thonë trajnerët e huaj nuk kanë dot sukses në Shqipëri, pse është kështu për mendimin tuaj?
Nuk mendoj që trajnerët e huaj nuk kanë sukses, unë kam dalë kampion te Skëndërbeu kur kishim Levin trajner.
Ju jeni një shembull i të rinjve të suksesshëm si trajner, është aftësi, fat apo avantazhi i eksperiencës së gjatë që nkeh ambientin?
Të jesh trajner fitues është diçka pozitive, kërkon shumë punë, aftësi dhe përkushtim.
Ju nuk besoj më parë keni qenë tifoz i Tiranës, me kë keni qenë tifoz ose jeni dhe nga kjo eksperience përveç punës që bëni, mund të thuash që do jesh edhe tifoz i kësaj skuadre për nga gjithçka ke përjetuar, ndjesinë që merr këtu brenda apo edhe historikun që si trajner e ndjen më shumë.
Unë nuk kam qenë ndonjëherë tifoz me Tiranën, sepse nuk kam luajtur asnjëherë për këtë klub. Kur erdha këtu kam kuptuar që kjo skuadër ka një tifozeri dhe njerëz që e duan pa masë këtë klub. E vërteta është se për çdo klub që punon, ose ke kaluar momente të bukura, ke nostalgji.
Sezonin e kaluar, pas 31 javësh kishit grumbulluar 66 pikë, sivjet në 31 javë keni 59 pikë. Pse këto 7 pikë më pak? Mos janë kundërshtarët më të fortë?
Në fund nuk ka rëndësi sa pikë do të kemi në renditje, thjesht dua të jem i pari në renditjen përfumdimtare.
Mundet të shpalleni kampion në ndeshjen derbi, ashtu si edhe vjet… e keni synim këtë?
Nuk po mendojmë për derbin tani, por vetëm për ndeshjen e ardhshme, me Teutën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




