Nga Gazeta Si- Organizatat mjedisore thonë se gërmimet në lumin Shkumbin kanë ndryshuar morfologjinë e lumit, çka sjellin dhe probleme me erozionin dhe cilësinë e ujit.
Organizatat i kanë dërguar një letër qeverisë, duke shprehur shqetësimin për ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin. Kjo për ndërtimin e rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd-Bushtricë, pjesë e Korridorit VIII. Në letrën, e disponueshme nga Gazetasi.al, kërkohet parandalimi i degradimit të lumit, respektimi i kuadrit ligjor mjedisor dhe i ujërave, transparencë mbi lejet dhe vendimet, si dhe vendosja e përgjegjësisë për dëmet.
Ndryshimet e drejtpërdrejta në lum
Sipas organizatave, vëzhgimet në terren dhe dokumentimi fotografik tregojnë shfrytëzim të materialeve inerte nga shtrati dhe brigjet e lumit nga kontraktorët. Kjo ka shkaktuar ndryshime në morfologjinë e lumit dhe depozitimin e dherave dhe gurëve. Ndryshimet kanë sjellë rritje të turbullirës, ngarkesë sedimenti dhe rrezik për erozion.
“Ndërhyrjet mund të përkeqësojnë cilësinë e ujit, biodiversitetin dhe habitatet natyrore breglumore. Rritet rreziku i shembjes së brigjeve dhe përmbytjeve. Lumi ka ulur shtratin më shumë se 1 metër dhe është bërë më i rrëmbyeshëm. Shumë toka përreth rrezikojnë rrëshqitje masive”, thonë organizatat.
Katastrofa mjedisore dhe ndikimi për komunitetet
Organizatat e konsiderojnë situatën si një katastrofë mjedisore me ndikim të drejtpërdrejtë mbi biodiversitetin dhe ekosistemin natyror. Ndikimi shtrihet edhe tek komunitetet lokale dhe aktivitetet e tyre. Situata është e papranueshme dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Gjatë ditëve të fundit, segmenti Librazhd-Bushtricë ka pësuar rrëshqitje të konsiderueshme dheu, duke dëmtuar rrugën kryesore dhe ndërprerë qarkullimin në juglindje. “Kjo ngjarje e fundit përforcon shqetësimin tonë për ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit. Ndryshimet kanë destabilizuar brigjet dhe tokat përreth”, shtojnë organizatat.
Letra i drejtohet kryeministrit Edi Rama, ministrit të mjedisit Sofjan Jaupaj dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore dhe monitorimin mjedisor. Kërkohet inspektim në terren, verifikim dhe monitorim i veprimeve të kryera nga kontraktorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje