Nga Gazeta ‘Si’- Politika dhe Kushtetuta në Kosovë janë takuar në një pikë presioni maksimal.
Orët në vijim pritet të jenë vendimtare për zgjedhjen e presidentit të ri, ndërsa skenari i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare po diskutohet nga analistët si një hipotezë jo e largët.
Brenda korridoreve të Kuvendit po zhvillohen takime intensive, ndërsa në publik qarkullojnë emra dhe skenarë që deri pak ditë më parë dukeshin thjesht spekulime.
Në qendër të këtyre zërave prej mbrëmjes së kaluar është emri i Glauk Konjufcës, i cili sipas burimeve politike mund të jetë kandidatura që do të propozohet nga kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Propozimi i tij nga Kurti tingëllon si një zgjedhje politikisht korrekte: një figurë institucionale, e moderuar, jo polarizuese, me përvojë në Kuvend dhe krahu i djathtë i tij.
Megjithatë, ndonëse deri tani nuk ka një propozim zyrtar me 30 nënshkrimet e nevojshme për ta futur kandidaturën në procedurë votimi, opozita ka arsye të forta politike për të mos e votuar.
Aktualisht, LVV-ja udhëheq Qeverinë dhe ka kontrollin e shumicës parlamentare. Nëse edhe posti i presidentit do të kalonte në duart e një figure të lartë të kësaj partie, atëherë opozita do ta paraqiste situatën si “kapje” të të gjitha pushteteve kryesore nga një forcë e vetme politike.
Një tjetër element është edhe simbolika politike. Konjufca nuk është figurë teknike apo konsensuale, por një nga njerëzit më identifikues me linjën politike të Vetëvendosjes.
Votimi i tij nga krerët e opozitës në Kosovë do të shihej nga elektorati i tyre si dorëzim politik.
Duke e bllokuar zgjedhjen e presidentit, opozita rrit presionin mbi shumicën dhe e vendos atë përballë një prove serioze: ose të gjejë kompromis me një kandidat më gjithëpërfshirës, ose të rrezikojë dështimin e procesit.
Mosvotimi i Konjufcës mund të jetë një mënyrë për ta detyruar shumicën të negociojë për një figurë më neutrale, pavarësisht se nga takimet e Kurtit me opozitën nuk është dalë me ndonjë emër konsensual.
Natyrisht, në këtë fazë gjithçka varet nga numrat.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa Kushtetuta parashikon që presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit, pra deri më 5 mars (nesër, e enjte).
Por pavarësisht se kjo datë ka krijuar ndjesinë e një afati dramatik, në aspektin juridik situata nuk është kaq e prerë me thikë.
Sipas juristit Ehat Miftaraj, Kushtetuta nuk përmban një nen që lejon shpërndarjen e Kuvendit vetëm pse nuk u respektua afati 30-ditor.
Pra, 5 marsi nuk është “buton” që aktivizon zgjedhjet. Ai është një obligim që duhet respektuar, por pa pasoja automatike juridike në rast mosrespektimi.
Atëherë kur shkohet realisht në zgjedhje?
Kushtetuta e Kosovës është e qartë për dy situata konkrete.
E para, nëse procesi i zgjedhjes së presidentit fillon dhe nuk përfundon brenda 60 ditësh.
E dyta, nëse zhvillohen tre raundet e votimit në Kuvend dhe presidenti nuk arrin të zgjidhet. Vetëm pas dështimit formal të këtyre procedurave, Kuvendi shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Nëse procesi zvarritet apo bllokohet qëllimisht, atëherë situata mund të bëhet objekt interpretimi nga Gjykata Kushtetuese.
Orët në vijim nuk janë thjesht një çështje datash në kalendar, por një test i maturisë politike dhe institucionalitetit të Kosovës e cila sapo ka formuar një Qeveri të re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje