Mëngjesin e së shtunës, nga Partia Demokratike përsëritën deklaratat e ditëve të fundit në lidhje me organizimin e protestës, ku u përjashtuan sërish fjalimet e drejtuesve të opozitës, por jo të qytetarëve.
Nga PD shpërndanë një informacion, sipas të cilit fjalime do të mbaheshin, por nga qytetarët. Përfaqësuesit e zgjedhur ishin nga grupe dhe shtresa të shoqërisë, që sipas demokratëve janë goditur më fort nga Edi Rama së fundmi.
“Protesta do të hapet nga një vajzë e re nga Shkodra. Më pas do të marrin fjalën përfaqësues nga ata që mbrojtën Teatrin, nga banorët protestues të Unazës së Re, të cilët janë në qendër të protestës. Do të ketë përfaqësues nga biznesi i vogël, një pedagog, fermer, artizan dhe sipërmarrës i ri. Më pas, qytetarët do të jenë të lirë ta marrin fjalën për të shprehur revoltën e tyre”, thuhej nga PD.
Risia ishte se të shtunën u vendos që protesta të mbahej pa flamuj partiakë, sipas linjës së ndjekur nga opozita se kjo protestë nuk ishte e partive politike, por e qytetarëve. Protestuesit e parë mbërritën nga rrethet pak pas orës 9:00 dhe nisën gradualisht marshimin drejt Kryeministrisë.
Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi dolën njëkohësisht, i pari nga selia e PD-së dhe e dyta nga selia e LSI-së dhe iu bashkuan protestuesve në rrugën e respektive në drejtim të Kryeministrisë. Bashës i paraprinte një grup të rinjsh nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike, që në shenjë simbolike u dhuruan nga një lule policëve të vendosur përballë tyre.
Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi jepte garanci se nuk do të kishte dhunë, pasi mes protestuesve dhe policisë do të qëndronin të rinjtë demokratë që do të shmangnin përplasjen.
Por, garancitë e vakta të ditëve të kaluar dhe ajo e përsëritur nga Belind Këlliçi nuk mjaftuan dhe ajo që të gjithë i trembeshin ndodhi! Qetësia në protestën e opozitës para godinës së Kryeministrisë zgjati vetëm 30 minuta, kur sapo kishin nisur fjalimet e qytetarëve sipas skenarit fillestar. Rreth orës 11:30 një grup protestuesish, kryesisht banorë të Unazës së Re, banesat e të cilëve preken nga projekti i Qeverisë për zgjerimin e këtij aksi nisën përplasjet e para me kordonin policor në pjesën ballore të ndërtesës, aty ku ishte përqëndrimi më i dendur i protestuesve.
Në këtë pjesë, numri i efektivëve të policisë ishte i pakët dhe përballë vrullit të qytetarëve shpejt u larguan duke u lënë rrugë të lirë protestuesve për të ngjitur shkallën dhe për të arritur në skelën e mbuluar në hyrjen qendrore të Kryeministrisë.
Këtu një pjesë e tyre nisën të grisin mburojën e vendosur dhe të tjerë fillimisht u ngjitën mbi instalacionin e vendosur mbi derën kryesore të godinës e më pas nisën të godasin me dërrasa dhe të hedhin bomba molotov e flakadanë brenda ambienteve të godinës.
Por, këtu ndodhi përplasja e madhe. Vija e dytë e mbrojtjes nga ana e forcave të sigurisë ishte ngritur brenda Kryeministrisë. Aty ishin të vendosura forcat e Gardës së Republikës, të cilat nga brenda jashtë hodhën ujë dhe gaz lotsjellës duke shpërndarë turmën që kishte zaptuar pjesën ballore të godinës.
Nga përplasjet gjashtë persona në radhët e protestuesve mbetën të plagosur. Disa prej tyre u shoqëruan me ambulancë për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa nuk raportohen për të lënduar në radhët e Policisë së Shtetit.
Pas hedhjes së gazit lotsjellës situata u qetësua disi. Protestuesit liruan shkallët dhe derën kryesore të Kryeministrisë dhe zbritën sërish në bulevard, ndërsa Policia e Shtetit u kujtonte përmes megafonëve të vendosur në shtyllat e ndriçimit se sulmi ndaj institucioneve të shtetit është i ndëshkueshëm ligjërisht. Megafonët acaruan protestuesit dhe disa prej tyre u ngjitën mbi shtyllat ku ishin vendosur dhe i shkulën.
Kordoni policor u rivendos para Kryeministrisë, por debati se kush e nxiti dhunën sapo ka nisur. Fillimisht Sali Berisha dhe më pas Lulzim Basha folën për një skenar të Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Ky është një skenar. Ju e patë sesi, pas një përpjekjeje fare të lehtë nga një grup banorësh të Unazës, papritur u ça kordoni i policisë, që të përdorej dhuna, të hidhej gazi lotsjellës dhe e gjitha kjo që dëgjoni në altoparlant, është pjesë e një skenari kriminal të policisë, të vënë nën urdhrat e Edi Ramës, për të provokuar një gjendje të tillë. Protestuesit kishin ardhur për të demonstruar paqësisht, pa dhunë. Po flisnin qytetarët”, thotë Basha.
Për kreun e PD-së, protesta doli jashtë kontrollit pikërisht për faj të këtij skenari. Ai akuzon policinë se nuk kontakton me organizatorët e protestës dhe se po i hedh benzinë zjarrit. “Policia nuk po zbaton ligjin, policia e ka thyer ligjin”, akuzon Basha.
Kur Lulzim Basha bëntë ketë deklaratë, Kryeministri Edi Rama postonte në rrjetet sociale një fotomontazh. Imazhi përfshinte dy fotografi krahasuese. E para ishte një foto nga antimitingu i tij në Vlorë, në kuadër të turit “Bashkia që duam” dhe e dyta tregonte Monika Kryemadhin, Sali Berishën dhe Lulzim Bashën në një foto bardhezi nga protesta para Kryeministrisë.
Kur Basha e Rama replikonin në forma të ndryshme në distancë situata para Kryeministrisë ishte relativisht e qetë. Por, qetësia nuk zgjati shumë. Protestuesit çanë sërish kordonin e policisë dhe nën thirrjet e njërit prej tyre iu drejtuan instalacionit të kërpudhës. Këtu policia është kundërpërgjigjur sërish duke hedhur gaz lotsjellës.
Monika Kryemadhi nga ana tjetër herë i bashkohej Lulzim Bashës dhe Sali Berishës dhe herë komunikonte me protestues dhe me përfaqësues të tjerë të LSI-së që e shoqëronin mes turmës.
“Kjo është më e pakta që mund t’i bëjmë Ramës, sepse ka qindra djem nënash që janë vrarë nga bosët e tij të drogës. Me të vërtetë gazi lotsjellës sjell lot, por Rama duhet të kishte menduar për lotët e nënave që kanë mbetur pa bij për shkak të tij”, deklaroi Kryemadhi.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u kërkoi drejtuesve të opozitës që të distancohen nga dhuna dhe qytetarëve që të distancohen nga elementët e dhunshëm brenda protestës.
“Bëj thirrje gjithë drejtuesve politikë që të distancohen nga dhuna që po ushtrohet ndaj institucioneve të Shqipërisë. Ftoj qytetarët të distancohen nga elementët e dhunshëm. Është me shumë vlerë të dëgjohet zëri i arsyeshëm i miqve të mëdhenj të Shqipërisë”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Thirrjen e parë për qetësi dhe shmangie të dhunës e bëri Presidenti Ilir Meta përmes rrjeteve sociale. Ai e shpërndau mesazhin në shqip dhe anglisht, për shqiptarët dhe të huajt.
“Duhet vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve e dhunës. Ndërsa qytetarët duhet të protestojnë të lirë duhet të respektohen institucionet”, shkruan kreu i shtetit.
Gazi lotsjellës largon përkohësisht protestuesit nga shkallët dhe hyrja kryesore e Kryeministrisë, por me largimin e efektit të tij, protestuesit afrohen sërish.
Sa i takon protestës, është e paqartë sesi do të vijojë ajo. Por, nga Partia Demokratike janë të sigurtë se protesta mbyllet me largimin e Edi Ramës. “Ç’është e vërteta do të bëhet shumë shpejt e qartë, por Edi Rama nuk ka më vend në Tiranë”, deklaroi ish-Kryeministri Sali Berisha i pyetur nga gazetarët se cili do të jetë hapi tjetër i opozitës.
Pesë orë zgjati loja së tensionuar “macja me miun” mes protestuesve, Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës lanë pas disa protestues e policë të lënduar si pasojë e gazit lotsjellës, derën kryesore të shkatërruar të Kryeministrisë dhe instalacionin e kërpudhës.
Ky ishte akti i parë i një lëvizjeje që opozita thotë se mbyllet vetëm me largimin e Edi Ramës. Nëse në nisje të protestës, as Lulzim Basha, as Monika Kryemadhi dhe as drejtues të tjerë të PD-së dhe LSI-së nuk ishin në gjendje të tregonin për hapin tjetër, në përfundim të saj një vendim u mor.

Vendimi ishte thirrja e një tjetër proteste për ditën e enjte, kur Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe u dha nga Lulzim Basha pas një konsultimi me Monika Kryemadhin dhe Sali Berishën.
“Sot çdokush e ka parë forcën e qytetarëve të bashkuar, të vendosur për të mos pranuar më një kryeministër dhe qeveri të kapur në vjedhje flagrante. Dua që në emër të opozitës t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë qytetarëve që i dhanë zë revoltës që po e dëgjon gjithë bota. Le të zotohemi sot se kjo kryengritje do vazhdojë deri në përmbysjen e Ramës. Të enjten në orën 10:00 vijon protesta”, deklaroi Basha.
Kështu e mbylli kreu i PD-së protestën e opozitës, që e cilësoi si kryengritje popullore. Ajo që mbeti pas pak minuta më vonë ishin këto pamje:
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.






















