Ne rrjet

Orët e fundit të Papa Françeskut / Zgjimi në 06:00, pas një ore goditja fatale në tru (çfarë ndodhi)

Ati i Shenjtë kishte vendosur të ushtronte rolin e tij deri në fund. Takime me Mbretin Charles dhe Zëvendës-Presidentin e SHBA-ve, J.D.Vance

Gazeta Si – Vuajtja prekëse e lamtumirës së Papa Françeskut do të mbetet përgjithmonë në imazhet e bekimit të tij të fundit.

Frymëmarrje me vështirësi, e ardhur nga një dobësi e dukshme. Zëri që dridhej. Duartrokitjet e gjata të turmës. Po pastaj? Çfarë ndodhi? Burimet e Vatikanit konfirmojnë se Papa u zgjua në orën 06:00 të mëngjesit dhe ishte mjaft mirë.

Në orën 7:00 u ndje i sëmurë. Gjysmë ore më vonë, saktësisht në orën 07:35, u raportua vdekja e tij. Tani, vjen dhe konfirmimi se Papa pësoi një goditje në tru (iktus) që ndodhi në kontekstin e një problemi serioz të zemrës.

Trupi i tij tashmë ishte dobësuar nga infeksionet respiratore që i kishin shkaktuar shtrimin në Poliklinikën “Gemelli” në Romë.

Tre krizat kishin vënë në dyshim mundësinë e shërimit dhe këto ditë u përhapën thashetheme se sapo të përmirësoheshin pak kushtet, Papa Françesku do të kthehej në Casa Santa Marta për të përballur në Vatikan mundësinë që përfundimi i sëmundjes së tij do të ishte fatal për Papën me zemër të madhe.

Sips asaj që raportojnë mediat italiane, ishte parashikuar një pushim me ventilim të asistuar, mjekët kishin rekomanduar izolim. Por Papa ka thënë gjithmonë se këtë periudhë nuk do ta kalonte larg angazhimeve të tij.

Dhe kështu ndodhi: midis besimtarëve ishte surpriza e Bergoglios, bisedat e pamohuara me mbretin Charles dhe, vetëm një ditë më parë, të dielën, takimi me Zëvendës-Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, J.D.Vance.

Dhe pastaj takimi i fundit me besimtarët: përshëndetjet, bekimet, shikimet dhe buzëqeshjet për fëmijët. Disa njerëz vunë re një ngurtësim të mëtejshëm të krahut të dielën në krahasim me ditët e mëparshme.

Kishte nga ata që panë një person pas Papës duke e masazhuar. Dikush ka vënë re frymëmarrje edhe më të mundimshme.

Por ajo që Papa Françesku donte që bota të përqendrohej dhe të kujtonte për të të dielën e Pashkëve, nuk ishte një buletin mjekësor i një personi të dobët dhe të sëmurë që nuk donte të kursente veten, por apeli për paqe dhe humanizëm i drejtuar botës.

Goditja që thuhet se ka pësuar Papa Françesku, ishte e tipit hemorragjik, një nga format më të rënda dhe të papritura të aksidentit cerebrovaskular.

Ndodh kur një enë gjaku në tru çahet, duke bërë që gjaku të rrjedhë në indin e trurit.

Kjo gjakderdhje komprometon me shpejtësi funksionet vitale, duke shkaktuar dëmtime të mëdha neurologjike dhe, në rastet më të rënda, vdekje.

Ndryshe nga goditja ishemike, e cila shkaktohet nga një bllokim në një arterie, goditja hemorragjike është shpesh më fatale dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.

Faktorët që mund të rrisin rrezikun, përfshijnë presionin e lartë të gjakut, brishtësinë vaskulare dhe sëmundjet kardiovaskulare para-ekzistuese – të gjitha kushtet që ishin të pranishme në pamjen klinike të Papa Françeskut.

Sëmundja që goditi Papën, brenda banesës së tij, la shumë pak vend për ndërhyrje, e rënduar nga një gjendje fizike tashmë e testuar rëndë.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë