Treg

Ora policore 22.00-06.00, nuk dihet ende si do të funksionojë transporti publik

Pas vendimit të Komitetit të Ekspertëve për masat e reja për tu mospërhapur më tej COVID-19, shumëçka është e paqartë në lidhje me se si do të funksionojnë disa sektorë jetikë përtej orës policore.

Kriza e transportit publik që u vu re pas përfundimit të izolimit në pranverë, kur Shoqatat e Tranportit Publik vendosën kushte të caktuara për të rinisur nga puna dhe ata që e vuajtën ishin qytetarët nevojtarë, po vihet ende në diskutim edhe këtë herë në karantinën e pjesshme.

Janë një sërë kompani e sherbime në vend ku procesi i punës kërkon edhe turn të tretë, punonjësit e të cilave përdorin transportin publik.

Çfarë do të ndodhë me ta?

Gazeta “Si” bisedoi me kreun e Shoqatës së Transportit Urban Rixhin Qoshja, i cili tha se shoqata ka dërguar një shkresë në bashki për të pyetur se si do të funskionojnë pas marrjes së masave transporti urban, por ende nuk ka asnjë përgjigje.

Vetë shoqërive në fakt, sipas Qoshjas nuk iu intereson të vijojnë aktivitetin pas orës policore vetëm për një grusht njerëzish.

“Ne na dinë ndërmarrje të bashkisë, por bashkia nuk na paguan asnjë cent. Deri në fund të gushtit bilaci total i humbjeve të shoqërive të transportit publik ishte 35 mln euro. Kurse shtator – tetori për kompanitë e mëdha 4,5 mln lekë të reja për çdo prej tyre dhe kompanitë e tjera sipas madhësisë edhe humbja. Ne jemi të paqartë për çdo gjë, edhe për vijimin pas bllokimit tek Sheshi “Shqiponja”. Është kaos total”- thotë ai.

Në këtë kaos mes vendimmarrjeve të domosdoshme për situatën epidiemiologjike ku ndodhet vendi, por pa përgjigje për se si do të vijojë jeta përtej orës policore për ata që do të kenë nevojë realisht për të qenë jashtë dyerve të shtëpisë, ende nuk dihet asgjë.

Masat hyjnë në fuqi ditën e mërkurë në ora 22.00 deri në 06.00 të mëngjesit dhe do të jenë për 3 javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë