Ne rrjet

Ora 6:29 e mëngjesit të zi! Çfarë ndodhi në 7 tetor? Histori ushtarësh dhe familjesh: Që nga ajo ditë, edhe unë jam një kafshë!

Një vit më vonë, kolazhi i zërave të izraelitëve që mbijetuan, i atyre që lanë vetëm zërin dhe nuk janë më aty, i atyre që shpresojnë të ecin përpara

Gazeta Si - “Shiko Hila, ka edhe fishekzjarrë!”.

“Çfarë the? Lion! Nuk të dëgjoj, muzika është shumë e lartë!”.

"Thashë se ka fishekzjarrë, shiko qiellin!".

“Ato nuk janë fishekzjarrë, Lion! Ato janë raketa".

(Biseda e dy të rinjve duke kërcyer në festivalin muzikor “Nova”).

“Në orën 06:30, në shtëpinë time në Tel Aviv, na zgjon alarmi. I gjatë, i frikshëm. Nuk është hera e parë që e dëgjojmë. Por është një rrufe në qiell, pasi asgjë e veçantë nuk po ndodh. Ose kështu mendoj unë".

(Manuela Dviri, shkrimtare).

“Dëgjojmë sirenat dhe mbyllemi në dhomën e sigurisë. Nga dritarja shoh rreth 15 terroristë në hyrje të kibucit (vendbanimit). I qetësoj fëmijët e mi, i them se gjithçka është në rregull. Por brenda jam e ngrirë. Nëse hap dritaren, e di që është fundi".

(Daniel Lanternari, i mbijetuar).

“Babi, babi! Unë vrava dhjetë hebrenj me duart e mia! 'Zoti të ruajt, biri im, sa do të doja të isha atje me ty!'".

(telefonatë nga Mahmoud, një i ri nga Gaza).

Militant i Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit 2023

Është një shabat pa shalom. Tetori i Zi. Zgjimi më i keq i Izraelit. Ata (terroristët) i kapin të rinjtë duke kërcyer dhe duke u argëtuar.

Kapin ata që mjelin lopët dhe përgatisin mëngjesin, ata që flenë dhe nuk kuptojnë asgjë. Në kibuci dhe në baraka, në plazhe dhe në rrugë.

Në dhomat e blinduara të sigurisë nëse të qëllojnë, por jo nëse të vënë flakën... Në kasollet e Sukkot, të cilat u dhanë strehë njerëzve të shkretëtirës, ​​por nuk mund të bëjnë asgjë me një pushkë-automatike tip “Ak-47”.

Të moshuar me paterica dhe të sapolindur, gra shtatzëna dhe fëmijë, vajza të vogla dhe fermerë. Dy pacifistë, një ish-futbollist i Hapoel-it, një fotoreporter i famshëm.

I kapin prej flokësh, i rrahin, i lidhin, i djegin të gjallë, i shajnë, i presin kokën, i bëjnë të gjunjëzohen, duke kërkuar mëshirë dhe pastaj i shpërbëjnë me granata dore.

Kush vret, filmon gjithçka me “GoPros”. Kush vdes, mbetet në memorjet e celularëve. Një nga ato është Noa Argamani, e cila do t'ia dalë të mbijetojë, edhe pse arrin të shpëtojë e gjallë gjatë një operacioni ushtarak pas disa muajsh peng në duart e Hamasit.

Noa Argamani, fotoja e të cilës u shndërrua në simbol të sulmit dhe pengmarrjeve të Hamasit në Izrael

Ajo i thërret e dëshpëruar të dashurit të saj, edhe ai peng i Hamasit, ndërsa e tërheqin zvarrë me motor. Një tjetër vajzë e marrë peng nga Hamasit në 7 tetor, është edhe Shani Louk, e cila nuk do të kthehet më: ajo është hedhur e shtrirë në një kamionçinë, e zhveshur, me këmbët e kryqëzuara.

Ekziston një video 45-minutëshe, e treguar nga qeveria izraelite për gazetarët, që njerëzit me zemër të dobët nuk mund ta shikojnë.

"Këtë mëngjes", do të thotë një oficer izraelit midis trupave të grumbulluara në një kibuc, "ndihem sikur Eisenhower po hyn në kampet naziste të përqendrimit".

Për të rikuperuar mbetjet e trupave, duhet të kërkohen kilometra fusha. Do të duhet një muaj për të analizuar ADN-në e fëmijëve të karbonizuar.

Një vit nuk mjaftoi për t'i bindur gratë e përdhunuara të tregonin historinë e tyre: "Atë ditë", rrëfen Sapir Cohen, një oficere e policisë, e cila u plagos nga militantët gjatë një përleshjeje me armë zjarri për t'i zmbprapsur në qytetin e Sderotit, "u bëra edhe unë një kafshë...”.

Noa Argamani përqafon babain e saj, Yakov pas lirimit të saj nga ushtria izraelite pak muaj pasi u mor peng

Ora 6.29: Hamasi fillon operacionin "Përmbytja e Al Aksa"

Ata do të thonë se nuk e prisnin. Se as liderët e Hamasit nuk dinin gjithçka. Se qeveria e Bibi Netanjahut ishte fokusuar në Bregun Perëndimor dhe kishte dobësuar kontrollet në Gaza.

Të cilën shërbimet egjiptiane e kishin paralajmëruar dhe askush nuk i kishte kushtuar shumë vëmendje, pasi thuhej se rastësisht ishte një marrëveshje historike paqeje që po nënshkruhej me sauditët.

Se disa ditë më parë në Rrip, ishin parë këshilltarë të çuditshëm iranianë dhe rusë. Se ishin edhe nëntë punonjës të OKB-së që mbështesnin masakrën. Ka një hetim në vazhdim, shumë gjëra për të kuptuar.

Në orën 6:29 të mëngjesit, kur filloi operacioni "Përmbytja e Al Aksa" dhe katër mijë raketa u hodhën në Izrael, as Hamasi nuk e imagjinonte të ishte në gjendje të vriste 1.139 njerëz dhe të rrëmbente 252 të tjerë.

Ata zgjodhën 50-vjetorin e luftës së Yom Kipur, për të befasuar Izraelitët siç bënë egjiptianët dikur, por këtë herë “qengji ishte gati për therje”.

Përmes 119 boshllëqeve të hapura në barrierat e kufirit dhe gardhit metalik më Gazën, 6 mijë militantë të Hamasit largohen nga Rripi dhe u shpërndanë të armatosur në njëzet e një moshavë, kampe, kazerma, qytete, komisariate të policisë brenda territorit izraelit.

Ata përdorën çdo gjë, kamionë dhe motoçikleta, buldozerë dhe motobarka, madje edhe aeroplanë me motor që kishin blerë në internet.

Militantë të ndryshëm, ata të mbathur me pantofla, ishin të droguar me lëndën narkotike “Captagon” për të pasur energji, por përfundojnë duke u përballur vetëm me vajza me uniformë që fshihen të vetmuara, ndërsa bërtasin në celular te oficerët e tyre për t'i ndihmuar.

Militantë të Hamasit mbi një kamionçinë brenda territorit izraelit në 7 tetor 2023

Ose disa policë që mbrojnë veten si heronj, disa ushtarë të frikësuar që vrasin edhe izraelitët gabimisht. Kur mbërrijnë mediat dhe nuk kanë kaluar dyzet e tetë orë, ka ende të shtëna nëpër kampe. Në autostradën 234 që kalon përgjatë Rripit, dallohen kufomat e zhveshura të terroristëve.

Hapësira e madhe e Festivalit “Nova”, ku të rinjtë kërcenin duke pritur agimin dhe pa e ditur se tmerri po afrohej, është një vendgrumbullim çadrash të përmbysura, makina me vrima plumbash, trupa që nuk mund të nxirren.

Pesëmbëdhjetë punëtorë tajlandezë, për katër ditë, fshihen të tmerruar në stallat e Ein Ha Shloshës dhe askush nuk shqetësohet për t'i shpëtuar.

Disa orë dhe tanket janë vendosur tashmë rreth Gazës për hakmarrjen e madhe, Operacionin "Shpata e Hekurt".

Bibi thotë: “Jemi në luftë”. Në Damask, një udhëheqës i Hamasit përgjigjet: "Ne e dimë mirë se çfarë na pret".

Nuk është e vërtetë: ligji i hakmarrjes pas një viti ka shifra shqetësuese, 37 viktima palestineze për çdo izraelit të vrarë.

Bisha e luftës ka gllabëruar gjithçka, përfshirë pikëllimin dhe të vërtetën. “Në fund të fundit”, Hanan Ashrawi, një historiane e pasionuar e Autoritetit Palestinez, do të thotë një ditë, “ajo e Hamasit ishte një akt rezistence”.

Ekziston edhe një lëvizje mohuese: masakra nuk ka ndodhur kurrë, sigurojnë ata, e gjitha është një shpikje. Be'eri dhe Kfar Aza dhe Nir Oz ekzistojnë, vende të vdekjes të pamundura për t'u harruar.

Familjarët të viktimave të 7 tetorit 2023, të ekzekutuar nga Hamasi

Pyetja më e dëgjuar: ku ishit atë ditë?

Vitin e kaluar, pyetja më e dëgjuar në Izrael ishte: ku ishit atë ditë? Pak si amerikanët e vjetër, kur flasin për vrasjen e Kenedit. Ose më pak të vjetrit, të sulmeve të 11 shtatorit 2001.

"Vajza ime duhej të ishte në Be'eri për shërbimin e saj civil", thotë Mara, një nënë nga Jeruzalemi, "dhe rastësisht ajo nuk ishte atje atë të shtunë".

Nadav, një mik që punon në financë: “Djali im ishte larguar nga Nir Oz pak para se të vinin terroristët. Tani është kthyer në ushtri, e kanë dërguar në Gaza”. Në librat e historisë, 7 tetori ishte përvjetori i Betejës së Lepantos, ose revoltës hebreje në Aushvic.

Tani, shkruhet me germa të plota dhe e vizituar me çdo detaj: 7 tetori ishte sulmi më i madh në territorin e Izraelit, masakra më e rëndë e hebrenjve që nga Shoah, sulmi më i rëndë terrorist pas Kullave Binjake.

Dhe sot është më i gjati nga të gjitha luftërat mes arabëve dhe izraelitëve, një masakër e palestinezëve siç nuk e kemi parë kurrë, dëbimi më masiv që nga Nakba-ja e vitit 1949.

Ku ishim ne më 7 tetor? Të gjithë do ta kujtojnë atë përgjithmonë. Por ajo që ka rëndësi, është se ku do të përfundojmë tani...

Marrë nga "Corriere della Sera"; Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë