Opozita “zbriti” të dielën në terren afër zonave të përmbytura. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ndodhet në Shkodër për të parë nga afër situatën dhe për të përcjellë mesazhin se duhet më shumë punë dhe pak politikë në situatën e shkaktuar nga reshjet.
“Eshtë një situatë e cila i mbivendoset edhe fatkeqësive të tjera siç është pandemia. Shqipëria po vuan një situatë krizash siç është pandemia, siç është tani ajo e përmbytjeve, e cila po na kushtojnë edhe dëme të mëdha ekonomike dhe jetë njerëzish. Nuk është koha për politikë, por nuk mund të mohohet që gjendja mund të jetë më e mirëmenaxhuar.
Përbri kësaj duhet të jetë edhe prania reale e atyre që ndihmojnë dhe nuk vijnë thjeshtë dhe vetëm për të vizituar apo për të dhënë mesazhe. Kjo është detyra e shtetit. Unë kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetaren e bashkisë Shkodër dhe me përfaqësuesit tanë në zonat e goditura rëndë. Situata nuk ka ardhur duke u përmirësuar, por duke u përkeqësuar dhe përkundër kësaj duhen marrë masa konkrete dhe masa urgjente”, tha Basha duke kërkuar disa herë dislokimin e gjithë resurseve shtetërore.
“Nuk është koha tani për të bërë politikë, por gjendja mund të menaxhohet shumë më mirë se sa ç’është menaxhuar në këto ditë para dhe nga ana tjetër mund t’iu them se një mirëmenaxhimi i gjendjes mund të kufizojë dëmet dhe mund të kishte parandaluar disa prej dëmeve të shkaktuara deri tani që për fat të mirë deri tani kufizohen në përmbytje, vetëm në përmbytje në dëme ekonomike, përmbytje të tokave të kultivuara por situata po precipiton me shpejtësi ndaj i takon qeverisë të lërë mënjanë çdo lloj propaganda dhe ti shtrohet punës për të marrë masat që i takon, është detyra e saj të marrë çdo masë.
Natyrisht Partia Demokratike do të bëjë gjithçka, unë do të bëj gjithçka që është e mundur për ti ndihmuar banorët e Shkodrës…”, tha Basha i cili më pas vizitoi disa zona të Shkodrës, ato me problematiket nga reshjet.

Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi zbriti në zonat e përmbytura, konkretisht në Laç. Sipas saj, mungesa e seriozitetit ka sjellë situatën e përmbytjeve. “Ndihmesat nga shteti kanë qenë zero”, nënvizoi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.










