Nga Gazeta ‘Si’- Pas mungesës në mbledhjen e parë, opozita kësaj here ishte e pranishme në Komisionin e Reformës Territoriale.
Bashkëkryetari i opozitës, Luciano Boçi tha se sipas tij kjo tryezë e re e reformës territoriale është dëshmi e qartë se harta administrative e 2015-ës ka dështuar.
Duke hedhur akuza në drejtim të socialistëve ai tha se ndarja aktuale ka qenë llogari elektorale në favor të tyre.
Të njëjtat akuza erdhën edhe nga deputetja demokrate Jorida Tabaku e cila e cilësoi atë reformë të njëanshme. Tabaku tha se sipas saj reforma e vitit 2015 ishte e mangët dhe e motivuar kryesisht nga llogaritë elektorale, duke mos reflektuar nevojat reale të qytetarëve.
“Fakti që jemi mbledhur këtu tregon se së pari reforma e parë e 2015 ishte e mangët, por u nis nga llogaria elektorale, dhe këto nuk prodhojnë ndarjen më të mirë dhe atë që kërkon qytetari.”, tha Tabaku.
Nga ana tjetër për replikë, bashkëkryetari socialist, Arbjan Mazniku foli për efektet pozitive që sipas tij ka sjellë reforma e 2015-ës.
Mazniku, theksoi rëndësinë e një analize të bazuar në fakte dhe numra për efektivitetin e reformës. Ai shtoi se, megjithëse ekzistojnë ndryshime politike, fokusi duhet të mbetet tek kompetencat dhe mundësitë që kanë bashkitë për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve.
“Jemi në një proces shumë aktiv në nivel qendror për integrimin në BE, paralelisht na duhet një proces intensiv edhe në nivel lokal që bashkitë të jenë të forta e të afta të funksionojnë në nivel europian, të bëjnë projekte të tërheqin fonde”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



