Partia Demokratike dhe aleatët e saj protestojnë sot pasdite në orë 18:30, duke u mbledhur përsëri përpara Kryeministrisë. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka postuar një video-mesazh për qytetarët për të protestuar, ku motoja kryesore e thirrjes se “asgjë nuk i ndal shqiptarët dhe opozita nuk do të ndërmarrë asnjë hap pas”.
“Asgjë nuk i ndal shqiptarët që luftojnë për liri, për standardet europiane. Shpresa është ndezur! Pushteti i krimit nuk e fik dot më, sot jemi më të fortë se kurrë. Asnjë hap pas kundër krimit kundër dhunës për Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruhet në spotin e publikuar, duke i drejtuar në këtë mënyrë një mesazh qytetarëve të jenë të pranishëm.
Mësohet se protesta e sotme do të jetë në formë marshimi. Sipas burimeve, qytetarët janë ftuar në këtë marshim proteste për mbrojtjen e demokracisë dhe shkëputjes së politikës nga krimi, si garanci për zgjedhje të lira e të ndershme dhe qeverisje të përgjegjshme që punon për mirëqenien e qytetarëve. Ky është ndryshim strategjie nga ana e PD-së, pasi në protestat e tjera kombëtare përqendrimi ka qenë përpara Kryeministrisë dhe më pas është zhvendosur përpara godinës së Kuvendit, ku zhvillohen seanca parlamentare.
Protesta do të bëhet në mungesë të sekretarit organizativ të PD, Sahit Dollapi, i cili sipas PD, po merr trajtim intensiv në spital nga plagët e dhunës. Dollapi ka qenë në çdo protestë pikë kontakti për policinë, siç e kërkon ligji, ndërsa do të jetë Sekretari i Burimeve Njerëzore, Ervin Minarolli. Në njoftimin që PD i ka dërguar policisë për marshimin e protestës, u ka kërkuar punonjësve të ndershëm të policisë së shtetit të mos bëhen pjesë e provokimeve dhe dhunës së paligjshme kundër qytetarëve.
“Policia e Shtetit, në mënyrë të përsëritur, ka kryer akte dhune ndaj qytetarëve në mënyre kriminale dhe me urdhër politik, për te cilat PD ka kryer kallëzim penal”, thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi, duke iu referuar kallëzimit të pak kohëve më parë për përdorimin kriminal të gazit helmues kundër protestuesve paqësorë.

Mësohet se Policia e Shtetit ndryshe nga herët e tjera do të angazhojë 1700 forca të punonjësve të saj në terren për mbarëvajtjen e protestës. Plani i masave nga forcat e rendit duket se është i njëjtë. Përveç forcave të policisë godina e Kryeministrisë, nga ana tjetër është e rrethuar me gardh metalik, një masë e shtuar e policisë për të shuar çdo skenar të mundshëm që mund të kenë protestuesit. Gjithashtu efektivët e policisë do të jenë të pajisur me maska kundragaz.
Protesta e së shtunës u karakterizua nga dhuna ndaj institucioneve, ku ndryshe nga herët e tjera bombat e shisheve molotov iu drejtuan jo vetëm selisë së Qeverisë, por edhe Kryesisë së Kuvendit. Protesta më pas iu drejtua sallës së Kuvendit ku zhvillohen seancat. Në këtë protestë që zgjati mbi 7 orë, u arrestua dhe u godit nga policia sekretari Organizativ i PD-së, Sait Dollapi. Arrestimi i tij solli zhvendosjen e protestës përpara drejtorisë së Policisë.

Policia e Shtetit njoftoi zyrtarisht se për protestën e opozitës janë proceduar gjithsej 84 persona, ndër ta, 50 përfunduan në pranga. Nga përplasjet me Policinë dhe qytetarët mbetën të plagosur 19 persona, ndërsa spitali i Traumës njoftoi dje se në mesin e të plagosurve ishin 14 policë, 4 qytetarë dhe një operator.
Nisur nga këto ngjarje, PD-ja vendosi që të zhvillojë sërish protestë ditën e hënë. Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha në një konferencë për shtyp të dielën deklaroi se kryeministri të mos provokojë popullin dhe të mos i kalojë caqet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



