Nga Gazeta ‘Si’- Pas bojkotit disa herë radhazi, opozita mori pjesë në Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.
Bashkëkryetari demokrat, Luçiano Boçi u shpreh se marrëdhënia mes mazhorancës dhe opozitës nuk është e mirë në Kuvend, dhe sipas tij kjo për shkak të sjelljes së socialistëve ndaj demokratëve.
“Mos bëjmë rolin e atij që mbyll sytë dhe veshët. Marrëdhëniet në Kuvend mes opozitës dhe mazhorancës nuk janë në normalitet por janë të tensionuara për shkak të sjelljes së mazhorancës. Nëse nuk ka produkt konsensual, atëherë është mungesë e gatishmërisë për të pranuar variantet, kjo është kërkesa ime.
Nëse rruga jonë kalon pjesërisht nëpërmjet konsensusit, për raporte apo vendime të caktuara dhe në fund fare del me variant të personalizuar politik, atëherë çfarë kuptimi ka komisioni?! Ne duhet të kemi një produkt të përbashkët”, tha Boçi.
Edhe bashkëkryetari socialist, Arbjan Mazniku, tha se është koha që komisioni duhet të nisë punën dhe që opozita, sipas tij, të mos bllokojë punën.
“Kemi një agjendë të ngjeshur pune, të ndërgjegjshëm për faktin që kjo reformë do ishte e mirë për vendin nëse ia dalim ta kalojmë bashkërisht. Mirëbesimi i dhënë nga mazhoranca nuk mund të jetë bllokim për punën.
Kemi një dritare shumë specifike, që lidhet me integrimin e vendit në BE, na duhet që në këtë periudhë 2027-2029, të kemi bashki të afta për të funksionuar jo thjeshtë si struktura për shërbim për qytetaret e tyre, por të tërheqin financim dhe projekte nga BE për territorin e tyre. Ta kryejmë këtë reformë para zgjedhjeve të 2027-ës, të hyjmë në zgjedhje me sistem të ri, në mënyrë që në vitin 2030 të kemi bashki që të punojnë në atë nivel funksionimi”, deklaroi Mazniku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



