Politike

Opozita rikthehet në Kuvend, kërkon dorëheqjen e Spiropalit. Bardhi: Je përfaqësuese e krimit të organizuar! Sula: Ju shkoni në SPAK për koncesione ne se dalim në protestë! (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa deputetët e opozitës u rikthyen në Kuvend, seanca plenare nisi me debate.

Në nisje të saj deputetët e PD kanë kërkuar që të nxirret jashtë Garda e Republikës.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, iu drejtua kryetares së parlamentit Elisa Spiropalit, duke i thënë se duhet të japë dorëheqjen.

Bardhi tha se Spiropali sipas tij është përfaqësuese e krimit të organizuar. Referuar tij, ajo dhe maxhoranca kanë penguar opozitën që të marrin pjesë në seancë plenare, pa ligj e rregullore.

“Ju duhet të jepni dorëheqje, pasi keni penguar opozitën pa ligj e rregullore, që mos marrë pjesë në seancat plenare. Kjo në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me rregulloren, iu keni vënë deputetëve të opozitës forcat speciale të policisë.  Ti zonjë je përfaqësuese e krimit të organizuar, duhet të japësh dorëheqje. Duhet t’ju vijë vetëm turp”, deklaroi Bardhi.

Ndërkohë Deputeti Dashnor Sula, i cili vendosi të jepte mesazh përmes veshjes së tij si i burgosur dhe me pranga në duar, kërkoi fjalën në Kuvend.

Ai u përfshi në debat me kryetaren e Parlamentit Elisa Spiropali, duke mos e lejuar të lexonte rendin e ditës.

“Zoti Sula uluni, e keni seriozisht që keni ardhur për të diskutuar sot në seancë?”, tha Spiropali.

Sula, u shpreh se deputetët e opozitës janë dënuar pa ligj dhe pa rregullore. Ai tha se deputetët e opozitës janë çuar në SPAK se kanë dalë në protestë.

“Na keni dënuar pa ligj dhe pa rregullore dhe gjykata e ka rrëzuar. Zonja Bushka merrni vetëm urdhra bashkë me të tjerët. Më gjeni një rast të opozitës së atëhershme, ça nuk keni bërë dhe më gjeni një rast që është dënuar më tepër se 10 ditë. Ku e gjetët ju ligjin për të dënuar me 60 ditë? Turp të keni! Memecë, vini të firmosni këtu për kolegët tuja, bëhuni njerëz.

E dënuat Salianjin pa ligj, e bëtë kurban që të mos kandidonte në zgjedhje. Na keni çuar në SPAK bashkë me kolegët, duhet që të keni turp! Ju shkoni për tendera e për koncensione. Ne shkojmë se dalim tek rrethrrotullimi’, tha ai.

Dje Gjykata Administrative vendosi të shfuqizojë vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve demokrat me nga 60 dhe 40 ditë jashtë Kuvendit.

22 ligjvënësit e opozitës dërguan në gjykatë vendimin e sekretariatit për përjashtimin e tyre nga 40 deri në 60 ditë, pas seancës ku ata dogjën karriget.

PD argumentoi se rregullorja parashikon përjashtimin për dy muaj vetëm kur deputetët përdorin mjete piroteknike brenda sallës së Parlamentit, por jo në oborrin e Kuvendit.

Ky argument duket se bindi gjykatën, e cila vendosi që dënimi për Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Bledion Nallbatin, që bllokuan foltoren, duhet të jetë përjashtim me 10 ditë ndërsa për 19 deputetët e tjerë të cilët vetëm nxorën karriget jashtë, duhet të jetë 5 ditë.

Sipas gjykatës, përjashtimi i deputetëve ka përfunduar që në 12 tetor, e për pasojë, sot pritet që të gjithë deputetët të marrin pjesë në parlament.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë