Politike

Opozita, protestë masive në Tiranë dhe pastaj në rrethe


Protestat popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës si kryeministër është strategjia e re e opozitës e shpallur nga kryedemokrati Lulzim Basha pas takimit me aleatët, e cila pritet të zbardhet më konkretisht në mbledhjen e së shtunës të Këshillit Kombëtar të PD-së.
“Opozita është e vendosur t’i japë fund krizës politike dhe ekonomike ku është zhytur vendi. Prandaj, në përgjigje të mijëra mesazheve dhe duke dëgjuar zërin e qytetarëve, ne vendosëm të udhëheqim revoltën e qytetarëve me protesta popullore deri në rrëzimin e Edi Ramës. Ky është vendimi i Opozitës së Bashkuar”, tha kryedemokrati Basha pas takimit të mbrëmshëm me aleatët.
Sipas burimeve, mësohet se pas mbledhjes së forumeve të partive aleate për të vendosur nisjen e protestave, do tw organizohet një protestë e madhe në Tiranë dhe më pas ajo do tw shtrihet në rrethe, apo për të mbështetur protestat e tjera që kanë nisur prej ditësh si ajo e studentëve. Opozita po mbështet protestën tjetër të banorëve të Unazës së Re, të cilët kanë më shumë se dy muaj po kontestojnë prishjen e banesave që preken nga projekti i ndërtimi të rrugës së re.
Aleatët pritet të vendosin në ditën në vijim për protestën e madhe të Tiranës, për të cilët është lënë detyrë strukturave partiake që të organizohen.
Kërkesa për zhvillimin e protestave duket se më tepër ka qenë një presion i aleatëve të PD-së, kryesisht i Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila prej kohësh ka kërkuar një reagim më të fortë përballë qeverisë Rama. LSI prej ditësh po organizon strukturat nëpër rrethe, ku kryetarja e saj, Monika Kryemadhi në takimet që ka pasur ka lënë të nënkuptohet për nisjen e mbështetjen e protestave.


Marrëdhënia me Parlamentin
Opozita pritet të marrë edhe një vendim final në lidhje me Parlamentin, nëse do ta bojkotojnë apo do t’i përmbahen idesë për një marrëdhënie të kushtëzuar. Bojkotin e Parlamentit e paralajmëroi edhe kryedemokrati në një deklaratë të tijën. “Vendi po rrëshqet drejt autoritarizmit dhe diktaturës. Edi Rama ka tani një parlament privat, për të shkatërruar interesat kombëtare, ka ndërtuar një qeveri private për të vjedhur qytetarët, ka ndërtuar një shtet privat për të dhunuar qytetarët”, theksoi Basha.
Por qëndrimi i bojkotit të Parlamentit, duket se nuk përkrahet nga aleatët e tjerë të PD-së, si Fatmir Mediu i PR-së dhe Agron Duka i PAA-së. Qëndrimi i tyre është që opozita të mos e bojkotojë Parlamentin, por luftën e tyre politike ta zhvillojnë brenda institucioneve.
Ndërkaq aleatët e PD-së janë në pritje të qëndrimit që do të mbajë Basha për sa i përket reformës zgjedhore. Kërkesat e tyre që i janë paraqitur prej kohësh kryedemokratit nuk po merren në konsideratë nga aleati i madh. Nisur nga kjo tw vegjwlit kanë nisur të paralajmërojnë PD-në se nëse nuk i jepet përgjigje apo nuk plotësohen kërkesat e tyre për reformën zgjedhore ata mund t’i largohen dhe koalicionit opozitar. I tillë është edhe paralajmërimi i kreut të PAA-së, Agron Duka.
Qeveri tranzitore pa Ramën, kusht për zgjedhjet?
Qeveri transitore pa Ramën kryeministër. Ky është kushti i ri i shpallur nga kryedemokrati Lulzim Basha përpara zgjedhjeve lokale.
“Largimi i këtij kryeministri, dhe një qeveri tranzitore që përgatit reformat kyçe dhe zgjedhje të lira e të ndershme si dhe i jep shanse maksimale Shqipërisë që të hapë negociatat me Bashkimin Europian dhe menjëherë pas kësaj kalimi në zgjedhje të parakohshme parlamentare”, do të deklaronte Basha disa ditë më parë.
Një kusht i ngjashëm ky si ai i dy viteve më parë, kur solli marrëveshjen e 17 majit 2017, me krijimin e një qeverie “teknike” përpara zgjedhjeve parlamentare.
Ky opsion i shpallur paraprakisht nga Basha mësohet se është hedhur në tavolinën e diskutimit me aleatët, ku veç krijimit të qeverisë tranzitore shoqërohet edhe kërkesa për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Por ky skenar i ngjashëm me atë të 2017-ës duket se nuk po i gëzon aleatët e PD-së, pasi nuk e shohin si rezultativ.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë