Protesta e fundit të opozitës e mbajtur më 8 korrik u cilësua si një mesazh falënderimi ndaj votuesve që bojkotuan zgjedhjet e 30 qershorit. Kryedemokrati Lulzim Basha do të deklaronte se 85% e shqiptarëve janë kundër qeverisë Rama.
“Më 30 Qershor refuzuam të keqen, ndëshkuam korrupsionin. 30 Qershori është referendum kundër të keqes. Ajo ditë hyri në histori si dita ku shqiptarët treguan se kanë forcën që të ndahen nga e keqja. 85% e shqiptarëve e refuzuan regjimin e Edi Ramës, refuzuan krimin dhe mungesën e shpresës. Rama nuk e theu dot vullnetin e shqiptarëve të bashkuar. 30 Qershori ishte triumfi i të vërtetës mbi propagandën”, deklaroi Basha nga podiumi i sheshit përpara Kryeministrisë.
Kjo do të ishte protesta e dhjetë kombëtare, liderët e opozitës kanë vendosur që të mbajnë sërish protestë, por pa përcaktuar një datë të ardhshme. Shkak i mos caktimit të një date lidhet me stinën e nxehtë të verës dhe kjo ka kondicionuar dukshwm aksionin politik i opozitës, duke mos u radikalizuar.
Në fillim të gushtit opozita duhet të përballet edhe me faktin e konstituimeve të këshillave bashkiakë dhe të betimit të kryebashkiakëve të rinj. Strukturat e PD-së janë udhëzuar që të bëjnë rezistencë në ato qytete që deri më sot janë një njohur si bastione të PD-së, duke mos pranuar që të dorëzojnë çelësat e zyrës. Pas Devollit, ku pati një rezistencë të vogël me interes shihet se si do të veprohet në bashkinë e Shkodrës, Kamzës dhe Kukësit. Kryebashkiakja në detyrë Voltana Ademi ka deklaruar se nuk do të pranojë që ta lirojë zyrën kandidatit fitues të PS-së, Valdrin Pjetri.
Brenda 10 gushtit pritet të realizohet konstituimi i të gjithë 61 “parlamenteve” lokale dhe betimi i kryebashkiakëve të rinj. Kjo datë përkon edhe me afatin fundor të qëndrimit në detyrë të drejtuesve aktualë të bashkive.
Sipas burimeve nga PD-ja përflitet që më 13 gusht opozita të ketë një protestë kombëtare, por një gjë e tillë nuk është e vendosur përfundimisht. Ndërkaq Basha po vijon turin e takimeve me bazën e PD-së me qëllim që të mbajë ndezur strukturat përpara se të organizojë protestën e radhës.
Strategjia e opozitës dhe kritikët e Bashës
Strategjia e opozitës e refuzimit të betejës elektorale të 30 qershorit, humbja e drejtimit të bashkive të djathta, duket se nuk është pritur mirë nga një pjesë brenda Partisë Demokratike. Menjëherë kanë dalë zërat kundër kësaj strategjie, ku protestat e shumta nuk kanë arritur që të kenë rezultatin e kërkuar rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Një ndër kritikët më të fortë është pikërisht ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i cili po shfaqet kundër linjës që po ndjek lidershipi i demokratëve dhe kërkon një ndryshim kursi.
“Zgjedhjet u mbajtën. Jo vetëm kaq, por mesa duket këtë vit në horizont nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme të përgjithshme, pa Ramën kryeministër. Ky ishte përbetimi tjetër i madh që bëhet tym. Ajo që mbetet janë prokurorja e përgjithshme e përkohshme, përjetësisht besnike ndaj kryeministrit Rama, ajo që mbetet është një katastrofë institucionale, ekonomike dhe njerëzore, me pak ose aspak dritë në fund të tunelit. Në këtë situatë jam shprehur se PD mund dhe duhet ta mundë në zgjedhje –dhe jo në llafe– Ramën dhe Rilindjen, si e vetmja rrugë që kemi, edhe pas këshillave dhe insistimit të partnerëve ndërkombëtare, evropianë dhe amerikanë. Kam shprehur mendimin se fakti që sot PD dhe populli opozitar mbeten të papërfaqësuar në nivel qendror dhe vendor është shumë i rëndë. Ky rezultat, pavarësisht bindjes që na u krijua kur morëm vendimet tona për të dorëzuar si grup mandatet e për të mos hyrë në zgjedhje me Ramën, ka nevojë për reflektim nga lidershipi i PD-së, mbi bazën e gjykimit të shëndoshë mbi atë që ndodhi, si dhe pasojave që ai solli”, do të shprehej Ristani nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale.
Gjithashtu ai përmend si të domosdoshme nevojën për të bashkuar partinë me të gjithë ata që kanë kontribuar për PD ndër vite, me ata që kanë ekspertizën dhe eksperiencën për organizimin e partisë dhe suksesin e saj në betejat elektorale, pavarësisht qejfmbetjeve, komplekseve, apo kontradiktave parimore.
Një tjetër zë kundër është ai i Edvin Kullurit, një nga njerëzit që kanë pjesë e strukturave të PD-së. Ai e sheh mbi të gjitha si një kamerdare shpëtimi për kryedemokratin Basha protestën për Teatrin Kombëtar, ku u nënshkrua edhe një kontratë zotimi. Tashmë opozita ka hartuar një tjetër aksion atë të mbrojtjes së Teatrit, duke bërë që dërgojë çdo ditë përfaqësuesit e saj në pranë godinës për të ruajtur në rast të ndonjë shembjeje.
Zërat kundër Bashës brenda PD-së pritet të rriten dukshëm, pas dorëzimit të bashkive, sepse shumë demokratë pritet të shprehin zhgënjim e tyre mbi strategjinë e përdorur deri më tani nga opozita, që tashmë do të hedhë në rrugë një pjesë të administratës lokale.
Por përballë këtyre qëndrimeve po dalin edhe ish-deputetë demokratë që shprehin se nuk është momenti për të shprehur pakënaqësi ndaj strategjisë së opozitës. I tillë është reagimi i ish-deputetes Grida Duma.
“Gjithashtu kam përmendur nevojën për të bashkuar partinë me të gjithë ata që kane kontribuar për PD ndër vite, me ata që kanë ekspertizën dhe eksperiencën për organizimin e partisë dhe suksesin e saj në betejat elektorale, pavarësisht qejfmbetjeve, komplekseve, apo kontradiktave parimore”, do të deklaronte Duma.
Por Ristani ka një bindje tjetër, sepse kjo ide e ruajtjes së unitetit brenda PD-së, mund të çojë në një rrugë pa krye.
“Ku do na shpjerë ky qëndrim? Uniteti grusht-bashkuar rreth verbërisë ndaj realitetit të mban të mbërthyer në një rrugë e cila çon vetëm në një drejtim – drejt humnerës”, shprehet Ristani.
Opozita ndërkaq për krizën politike shpreson dhe në ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për të gjetur një zgjidhje, por se SHBA dhe BE akoma nuk kanë dhënë sinjale nëse do të luajnë rolin e ndërmjetësuesit ose jo.
Apelit për ndërmjetësim, ndërkombëtarët po iu kundërpërgjigjen me thirrjen që krizën duhet ta zgjidhin vetë palët me negocim mes tyre. Ndërsa presidenti Meta që është shprehur i gatshëm për të ndërmjetësuar për krizën ka hequr dorë, pasi me anë të letre i është drejtuar zyrtarisht OSBE-së për realizuar uljen në një tryezë mes Ramës dhe Bashës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.