Partitë e opozitës reagojnë pas publikimit të raportit të Venecias, që nxori si konkluzion se presidenti ka vepruar përtej dispozitave kushtetuese, por se kjo nuk përbën arsye që Kuvendi të shkarkojë presidentin nga posti që ai mban. Me anë të një deklarate opozita e bashkuar përshëndet opinionin e Komisionit të Venecias që rrëzoi planin antikushtetues të Edi Ramës për të uzurpuar institucionin e Presidentit të Republikës.
“Komisioni i Venecias konfirmoi se Presidenti Ilir Meta nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutës dhe se iniciativa qeveritare për shkarkimin e tij bie ndesh me Kushtetutën. Opozita e Bashkuar vlerëson rolin e Presidentit të Republikës, të konfirmuar edhe nga Komisioni i Venecias, se, me anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve, Presidenti ka ndjekur një qëllim legjitim për të shmangur konfliktet e mundshme sociale dhe për të mbrojtur demokracinë në vend.
Sipas opozitës, me anë të këtij raporti Komisioni i Venecias pohon se qeveria e Edi Ramës nuk ka ndjekur rrugën kushtetuese për kundërshtimin e Dekreteve të Presidentit.
“As Qeveria dhe as Parlamenti monist nuk kanë sfiduar përpara asnjë gjykate Dekretet Presidenciale. Kjo nënkupton se Dekretet e Presidentit për anulimin dhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve janë edhe sot në fuqi. Votimet moniste të 30 Qershorit, të mbajtura pa Dekret të Presidentit të Republikës, janë jo vetëm antikushtetuese, por një akt i paprecedentë në historinë e 30 viteve demokraci. Ky akt është një hap i madh prapa, që bie ndesh me vlerat dhe standardet europiane. Opinioni konfirmoi edhe njëherë se qëllimi i vetëm i Edi Ramës është kapja e të gjitha pushteteve, rrënimi i shtetit ligjor dhe parimit të ndarjes e balancimit të pushteteve, me qëllimin e vetëm të mbrojtjes së krimit dhe korrupsionit qeveritar”, thuhet në deklaratë.
Për opozitën, mazhoranca po tenton të kapë politikisht edhe institucionin e presidentit, duke akuzuar kryeministrin Rama se po kontrollin Parlamentin, Gjykatat, prokurorinë dhe pushtetin lokale.
“Opinioni Final i Komisionit të Venecias rrëzon propagandën e Edi Ramës për shkarkimin e Presidentit, propagandë e cila mbahet në këmbë nga një komision parlamentar me mision të dështuar antikushtetues”, mbyllet reagimi i opozitës së bashkuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.