Politike

Opozita parlamentare në listat e PS? Balla s’e mohon

Taulant Balla nuk e përjashton mundësinë që në listat e kandidatëve të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit të përfshihen edhe deputetët të opozitës aktuale parlamentare.

“Listat e PS-së do të jenë një risi dhe shprehje kuptimplotë e asaj që kemi thënë prej ditës së parë. Kemi bashkëqeverisur me njerëzit në këtë mandat dhe do të vazhdojmë të bashkëqeverisim me ta”, u shpreh Balla.

Kjo ishte përgjigja që kreu i grupit parlamentar socialist i dha pyetjes së gazetarëve në përfundim të takimit të përjavshëm me drejtuesit politikë të qarqeve.

Taulant Balla thotë se aleanca e Partisë Socialiste më 25 prill është me qytetarët shqiptarë dhe garantoi se nga platforma “Deputeti që Duam” do të përzgjidhen si kandidatë përfaqësues nga të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë.

“Djem e vajza, profesionistë nga fusha të ndryshme, mjekë, infermierë, mësues, sipërmarrja, fermerë dhe emigrantët, në listat e PS do të keni djem e vajza, burra e gra që kanë jetuar jashtë territorit të Shqipërisë dhe që sot janë të gatshëm që të rikthehen dhe të japin kontributin e tyre”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë