Kosova

Opozita në Kosovë refuzon Konjufcën: Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme

Nga Gazeta ‘Si’- Edhe pse emri u ndryshua, opozita në Kosovë ka bërë të ditur se nuk do ta votojë as Konjufcën për formimin e qeverisë.

Vetë Konjufca deklaroi para gazetarëve se, në rast të formimit të qeverisë së re, ajo do të jetë afatshkurtër, pasi sipas tij, Kosova duhet t’i miratojë disa projektligje të rëndësishme, si ai për buxhetin dhe ai për Planin e Rritjes nga Bashkimi Evropian.

“Ideja është të krijojmë një qeveri të re për të shmangur zgjedhjet e menjëhershme dhe për të bashkëpunuar me partitë parlamentare, në mënyrë që Kosova ta ketë buxhetin për vitin 2026”, deklaroi Konjufca.

Por, opozita po kërkon që sa më shpejt të merret vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

“PDK nuk do të japë votë për asnjë mandatar nga LVV, ndërsa mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme është zgjidhja e vetme për tejkalimin e këtij ngërçi. Kështu do t’u kthehej qytetarëve të Kosovës e drejta për të vendosur për drejtimin e ardhshëm të vendit dhe për t’u dhënë legjitimitet institucioneve të reja”, thuhej në komunikatën e PDK-së të lëshuar të mërkurën.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se mandatari i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë, Glauk Konjufca, duhet të konstatojë sa më parë se nuk ka shumicën.

“LDK-ja bën thirrje për përgjegjshmëri. Sot, fatkeqësisht, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet. Konjufca duhet të jetë më i sinqertë se kryetari i tij dhe të konstatojë sa më parë që nuk ka shumicë”, u shpreh Abdixhiku.

Ai e ka cilësuar strategjinë e Lëvizjes Vetëvendosje si një lojë politike, që synon vetëm shtyrjen e procesit të zgjedhjeve.

Shefat e këtyre dy partive u takuan të martën me presidenten Osmani, ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nuk mori pjesë në takim, duke thënë se ishte i angazhuar me aktivitetet e fushatës për raundin e balotazhit.

Të martën, kur Kurti njoftoi se do të kërkojë nga Osmani që të mandatojë Konjufcën për formimin e qeverisë së re, Haradinaj deklaroi se Konjufca duhet të dëshmojë se ka shumicën.

“Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme. Kjo shumicë dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve”, tha Haradinaj.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë