Nga Gazeta ‘Si’ – Pas raportimit në Kuvend për draftin e ri të Asociacionit të pranuar në Bruksel, opozita në Kosovë nuk i kurseu kritikat ndaj kryeministrit, Albin Kurtit.
Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Memli Krasniqi, tha se me pranimin që të nënshkruajë këtë draft, Kurti ka pranuar që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës.
“Ta kanë sjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, bashkësinë, ‘Zajednicën’, dhe e ke pranuar. A mund të na tregosh çka ke bërë ti aty (në takimin në Bruksel) nëse nuk e ke pranuar. Së pari, kur ke thënë, eja po e nënshkruajmë, ke bërë një gabim që një amator nuk është dashur ta bëje. Ti thuash botës jam i gatshëm të nënshkruaj me Vuçiçin draftin e Asociacionit për Kosovën, që rregullon Kosovën brenda, është jo banale, është anormale, është të pranosh që Serbia të vendosë për rregullimin e brendshëm të Kosovës. Të nënshkruash draftin e Asociacionit që duhet të miratohet nga Qeveria që ju drejtoni, e të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Krasniqi.
“O Albin o trim, si me nënshkrim, si pa nënshkrim, t’i ke bo pranim”, iu drejtua ai Kurtit ndërsa shtoi se për 19 minuta(referuar minutazhit të takimit të Kurtit në Bruksel me liderët e BE) ai sipas tij ka përmbysur karrierën e tij politike në Bruksel.
“Ne kemi nevojë për njohje de-juro nga Serbia”, tha Krasniqi mandej pas deklaratës së Kurtit që drafti i propozuar sjell njohjen de facto të Kosovës.

Ndërsa udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se për draft-statutin, Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë dhënë qëndrime të ndryshme.
“Gjersa kryeministri pretendon se statuti i Asociacionit të tij është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese, ose së paku kështu i kanë thënë atij, presidentja si pranuese e po të njëjtit dokument, shpalosë hezitimin për një cilësim të tillë dhe jo vetëm aq, njofton dërgimin e komenteve në Gjykatë Kushtetuese në rastin e parë, si shenjë e parë e mospërputhje kushtetuese”, tha ai.
Osmani ka thënë se nuk mund të japë vlerësim nëse dokumenti është në përputhje me Kushtetutën, por kur të nënshkruhet, ajo do të dërgojë mendimet e saj në Kushtetuese për këtë çështje.
Teksa Kurti ishte duke folur për draft-statutin, deputeti Haki Abazi ka vendosur një fotografi të Kurtit si “palaço” dhe një mbishkrim “Kush e lëshoi Radoiçiçin nga rrethimi?”.



Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, kërkoi që Kurti të tregojë se cili është draft-statuti dhe jo që deputetët të informohen nga mediat.
Tahiri tha se me klimën “toksike” të krijuar në dialog, me apo pa dashje, Kurti ka kontribuuar në interesin kryesor të Serbisë, që sipas tij është status quo-ja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




