Kosova

Opozita në Kosovë kërkon anulimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë dhe shkarkimin e bordit të ZRRE

Gazeta Si – Opozita në Kosovë ka kundërshtuar vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, ndërsa ka kërkuar shkarkimin e bordit drejtues të Zyrës së Rregullatorit për Energji. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi që në Parlament të futet si pikë e rendit të ditës vendimi i ZRRE, i marrë këtë të martë (8 shkurt).

Departamenti për tarifa në ZRRE ka thënë se rritjen e çmimit në fatura do të vërejnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovat në orë. Por Tahiri u shpreh se Zyra e Rregullatorit të Energjisë është shndërruar në instrument të kryeministrit Albin Kurti.

“Kërkojmë nga grupet që ky vendim i ZRRE-së të anulohet sot. Ne kemi pasur debat që kemi shterur të gjitha mundësitë. Sot ZRRE ka marrë vendim që ka krijuar realitet të hidhur në vendin tonë. Rezoluta kërkon që të mos ketë shtrenjtim. Kërkojmë shkarkimin e Bordit të ZRRE-së dhe anulimin e këtij e këtij vendimi”, tha Tahiri.

Ai po ashtu ka thënë se sot duhet vendosur patjetër për debat, dhe të votohet rezoluta për anulimin e këtij vendimi, të cilin e ka quajtur skandaloze.

Armend Zemaj nga LDK-ja ka thënë se për çështje urgjente mund të ketë mocion në çdo kohë. Sipas tij, është e rëndësishme që kjo çështje të trajtohet menjëherë.

“Kuvendi duhet të ndërmarrë iniciativë dhe të vijë me rekomandime të sakta.Jemi në një momentum që Kuvendi duhet të vendosë. Ne jemi ligjvënës dhe jemi përfaqësues dhe duhet të komunikohet në një formë tjetër. Nuk është respektuar asnjë procedurë deri tani nga ZRRE-ja. Tash kemi një vendim që e rrit çmimin e rrymës 100 për qind”, ka thënë ai.

Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ZRRE-ja ka hapur procedurën e konsultimeve dhe asnjëri GP nuk ka dërguar komente.

Sipas saj, ZRRE-ja është konsultuar që të mos merren me komentet politike.

“ZRRE-ja vendimin e ka marrë konform afateve të parapara. Ajo çfarë tentohet këtu është prishje e rendit kushtetues”, ka thënë ajo. “Nuk dëgjuam propozim konkret nga GP të opozitës”.

Besnik Tahiri i AAK-së ka thënë se vendimi për shtrenjtimin e rrymës është lajm shumë i keq për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, ky shtrenjtim i rrymës do të ndikojë në përkeqësimin e situatës së Kosovëss, e që sipas tij duhet të ishte alarm për kryeministrin Kurti.

“Do të ketë një rritje zinxhirore të çmimeve. Ne e mbështesim debatin dhe miratimin e rezolutës përmes së cilës kërkohet edhe revokimi i këtij vendimi. GP i AAK-së me kohë i ka dërguar komentet në ZRRE. Ajo çka kemi parë për këta muaj kemi parë sinkronoizim mes parlamentit dhe Qeverisë për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Megjithatë, në seancën e sotme të Kuvendit(8 shkurt), dështoi të miratohet mocioni procedural për debat urgjent parlamentar pasi për të njëjtin votuan vetëm 36 deputetë nga opozita,ndërsa shumica parlamentare e kundërshtoi dhe u përmbajtën nga votimi.

Sipas propozimit të opozitës, kjo çështje do të vendoset si pikë e parë dhe pastaj të dilej me rezolutë të përbashkët për revokimin e vendimit të ZRRE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë