Partitë politike opozitare tashmë siguruan nënshkrimet e deputetëve dhe do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Opozita dhe vetë Valdete Daka, shkarkimin nga pozita e kryetares së KQZ-së e cilësojnë të “jashtëligjshëm, antikushtetues dhe vendim politik kundër një organi të pavarur”.
PDK: Presidentja mori një vendim politik
Udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se vendimi i presidentes për shkarkimin e kryetares së KQZ-së dëmton institucionet demokratike. “Vendimi i presidentes së Kosovës, urdhëruar nga Albin Kurti për të shkarkuar kryetaren e KQZ-së, është antikushtetues, dëmton institucionet demokratike, rrezikon zgjedhjet lokale dhe është fund e krye politik. Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet”, tha Hoxhaj.
Vendimi: Daka cënoi pavarësinë e integritetin e KQZ-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tre ditë më parë i ndërpreu mandatin kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka dhe në vend të saj, emëroi gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi. Shkarkimi i Valdete Dakës nga detyra e kryetares së KQZ-së, pasoi pakënaqësitë e shfaqura nga lëvizja Vetëvendosje, ndaj Valdete Dakës. Pjesë e listës së lëvizjes Vetëvendosja në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte edhe vetë zonja Osmani me një numër të kandidatëve të saj. Në vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e zonjës Daka nga detyra e kryetares së KQZ-së, thuhet ndër të tjera se “Kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, ka cënuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së”.
Valdete Daka: Vendim i porositur
Edhe ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka nuk pajtohet me vendimin e presidentes dhe paralajmëroi se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për rastin e saj, duke iu drejtuar edhe gjykatës kompetente. “Ky është vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj. Arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim jo që është i paligjshëm por edhe kontradiktor dhe qesharak. Ky është vendim i porositur. Ky vendim i bërë publik pasditen e së hënës shihet qartë se ishte përgatitur më herët, këtë e dëshmon edhe fakti i emërimit të kryetarit të ri të KQZ brenda pak minutave. Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë takimit tim me presidenten ku ajo më kërkoi të japë dorëheqje në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoj falënderime publike për punën e deritashme dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhshmen. I kam thënë se e kam përmbushur detyrën time sipas Kushtetutës”, tha në reagimin e saj Valdete Daka.
Vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës e ka cilësuar si shkelje kushtetuese edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. “Është shkelje e pastër Kushtetuese. Parametri kushtetues është kushtetuta jonë. Po qe se shkon në kushtetuese, Gjykata Kushtetuese kurrë nuk mund ta arsyetojë se shkarkimi i kryesueses së KQZ-së mund të bëhet nga presidentja siç e ka bërë presidentja e Kosovës. Që ta kemi të qartë, asnjë kompetencë e presidentit të Kosovës dhe presidentëve që kanë sistem të ngjashëm me ne, nuk kanë kompetencë ekzekutive, të gjitha janë zinxhirore. Kushtetuta e thotë shumë mirë se presidenti ka të drejtë vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ, që do të thotë për të aminuar zgjedhjen e bërë nga Apeli ose Supremja e Kosovës”, tha Enver Hasani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




