Politike

Opozita mungon, Mazniku: Nesër kërkojmë ndryshimin e Komisionit për Territorialen

Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike ka bojkotuar sërish punimet e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Territoriale.

Edhe pse i ishte lënë kohë opozitës deri sot, anëtarët demokratë nuk u paraqitën. Paralelisht në të njëjtin orar kreu i PD Sali Berisha ka mbledhur grupin parlamentar.

Kryetari i këtij komisionit, Arbjan Mazniku paralajmëroi se do t’i drejtohen Kuvendit formalisht për të bërë ndryshimet në Komision, me qëllim siç tha ai t’i hapet rruga punimeve të komisionit.

Ai deklaroi se kjo është hera e 4 që opozita nuk merr pjesë në këtë komision.

“Ne do t’i drejtohemi seancës për të ndryshuar komisionin dhe t’i hapim rrugën me shpejtësi dhe të fitojmë kohën e humbur” , tha Mazniku.

Po ashtu, Mazniku theksoi se do të kërkojnë që ky komision të mos ketë më dy bashkëkryetarë, por vetëm një kryetar si komisionet e tjera normale, kjo për të “zhbllokuar” situatën e krijuar nga mungesa e opozitës dhe për të çuar punën përpara, me qëllim përmbylljen e reformës deri në korrik të këtij viti.

Sjellim ndërmend se më herët ditën e sotme, kreu i grupi parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha se do merren masa nëse anëtarët demokratë nuk marrin pjesë as sot në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale. Kjo nënkupton ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Posaçëm, ku PS do të ketë një anëtar më shumë.

Gjatë Konferencës së Kryetarëve të mbajtur javën e kaluar, Partia Socialiste kërkoi që të ndryshohej formula e funksionimit të këtyre komisioneve, duke marrë shumicën e anëtarësisë dhe rrjedhimisht duke i dhënë mundësinë vetes për t’i bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme pa opozitën. Partia Demokratike nga ana tjetër pretendon se nuk ka marrë pjesë për shkak të agjendave paralele dhe jo për arsye bojkoti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë