Tri partitë opozitare në vend kanë thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë më e cenuar dhe se asnjëherë nuk ka pritur përvjetor më të zbehtë e pa progres. Deputetët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë akuzuar qeverinë aktuale se si shkak i tyre, Kosova ka hyrë në përvjetorin e 16 të saj si shtet i sanksionuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe si shtet i qortuar nga aleati kryesor i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deputetja e LDK-së Rrezarta Krasniqi, ka thënë se për tre vjet qeverisjeje Kurti, festimet e përvjetorëve kanë qenë të zbehta pasi nuk ka pasur asnjë vizitë nga ndërkombëtarët, përveç organizimeve protokollare. “Më 17 shkurt ne festojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe kemi pasur një organizim të zbehtë përveç atyre protokollare që janë, nuk kemi pasur ndonjë vizitë nga aleatët tanë ndërkombëtarë, sepse që nga marrja e qeverisë asnjëherë nuk ka gjetur dakordim me ta dhe çdo ditë po shohim deklarata të ndryshme si të aleatëve nga BE-ja gjithashtu edhe nga ShBA-të. Është viti i parë i festimit të pavarësisë ku ne jemi me sanksione nga BE-ja. Kemi parë deklarata të njëpasnjëshme të aleatëve ndërkombëtarë dhe të ShBA-ve”, ka thënë ajo.
LEXO EDHE:
– Kosova 16 vite shtet, Kurti: Mirënjohje aleatëve për rrugëtimin tonë
– Kosova po përballet me kritika ndërkombëtare në përvjetorin e pavarësisë
– Lajçak takim me Kurtin në Munih: Normalizimi Kosovë-Serbi, kyç për stabilitetin rajonal
– Politika shqiptare uron Pavarësinë e Kosovës
– Urimi i Blinken për Kosovën dhe thirrja për situatën me Serbinë
– ‘7 Qiejt’, imazhi i monumentit NEWBORN këtë vit i dedikohet liberalizimit të vizave
Krasniqi, e cila është edhe kryetare e Komisionit për Integrim Evropian, ka shtuar se qeveria duhet që të dakordohet me aleatët për çdo veprim, pasi sipas saj, sot Kosova është e lirë falë tyre. “Është dashur që të dakordohen sepse falë tyre ne sot jemi këtu ku jemi. Mirëpo ju e dini që ky kryeministër prej tre vjetësh e ka futur vendin në një rrugë pa krye. Ka pasur mbështetjen në shumicën e rasteve në proceset integruese edhe nga opozita, mirëpo këto proceset e tjera të rëndësishëm kur i merr e thërret opozitën pasi i ka marrë vendimet, ai nuk është bashkëpunim. Është hera parë që kemi një kryeministër që nuk bashkëpunon me opozitën. Prej tre vitesh nuk ka punuar për qytetarët e Kosovës por ka punuar vetëm për anëtarët e VV-së”, ka thënë ajo.
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra shprehet se është e pafalshme moskoordinimi i qeverisë me aleatët, duke marrë parasysh angazhimin e tyre që Kosova të jetë e lirë e njohur nga shtetet e tjera. Sipas saj, si shkak i keqqeverisjes, në përvjetorin e pavarësisë, Kosova vazhdon të jetë më e zbehtë, më e cenuar dhe pa progres. “Është e pafalshme për faktin se ne gjithë kujtojmë sidomos në vigjilje të festave të pavarësisë, kujtojmë rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë shtet, gjakun e derdhur, sakrificën, dëshmorët, martirët, por edhe aleancat tona, intervenimin e NATO-së dhe faktin që partnerët tanë e kanë ndihmuar fuqishëm Kosovën për t’u bërë shtet. Për t’u konsoliduar në aspektin e fuqizimit të saj ndërkombëtar, për t’u njohur nga shtetet e tjera për t’u bërë anëtare në organizma ndërkombëtarë. Dhe sot, për pavarësi, Kosova vazhdon të jetë më e zbehtë, më e cenuar dhe nuk ka progres për të cilin do të donim të flisnim sot edhe si opozitë”, ka thënë ajo.
Deliu-Kodra ka thënë se nuk është lajm i mirë qortimi nga partnerët dhe se koordinimi me ta duhet të jetë edhe në momentin kur veprimet e qeverisë janë veprime kushtetuese. “Prandaj nuk është lajm i mirë as qortimi nga partnerët tanë, as koordinimi edhe kur veprimet tona janë veprime kushtetuese ne duhet të respektojmë partneritetin e ta ruajmë këtë partneritet sidomos kur bëhet fjalë për aleancën tonë kryesore që janë SHBA, të cilat kanë investuar jo vetëm kapitalin ushtarak, kanë investuar për vite të tëra gjithë kapitalin e tyre njerëzor dhe kudo në rrugëtimin e Kosovës edhe në Këshillin e Evropës edhe në betejën tonë të papërmbyllur me Serbinë ne kemi një adresë, kemi një garanci, kemi një partneritet që janë SHBA-të dhe BE-ja. Prandaj nuk është e lehtë që sot të flasim për sanksione, nuk është e lehtë sot të numërojmë betejat, pengesat, rrugëtimin tonë të rëndë në kohën kur lajmi kryesor janë qortimet që ne çdo ditë i marrim nga partnerët tanë”, shprehet Deliu-Kodra.
Edhe deputetja e AAK-së Albana Bytyqi, shprehet se Kosova për herë të parë feston pavarësinë nën sanksione. Sipas saj, ky ka qenë një vit shumë shqetësues si shkak i keqqeverisjes. Ajo tha se falë qeverisjes së Albin Kurtit sot shteti nuk ka bashkëpunim me aleatët dhe përkrahjen e ShBA-së. “Për herë të parë si shtet jemi nën sanksione është kjo falë qeverisjes jo të mirë të Albin Kurti dhe të VV-së. Ajo çka është e rëndësishme që ne si shtet nuk po mundemi dhe qeverisja e VV-së nuk po mundet tya realizojë është se nuk po jep asnjë kontribut në lidhje me qytetarët të cilët kanë nevojë për punësim, kanë nevojë që të zhvillohen brenda vendit tonë e jo të ikin jashtë. Ne e dimë shumë mirë që ky vit ka qenë vërtet një vit shumë shqetësues për ne si qytetarë edhe ne si politikanë për shkak se ka pasur shumë lëvizje, shumë njerëz që kanë shkuar në emigrim dhe kjo është shumë shqetësuese për ne”, shprehet Bytyqi. /EO
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




