Gazeta Si – Në Komisionin për Punë, Çështje Sociale dhe Shëndetësinë ku po diskutohej shqyrtimi i aktit normativ të radhës për furnizimin me vaksina, opozita akuzoi se qeveria ka dështuar me programin e vaksinimit anti-Covid.
“Shqipëria është e fundit në rajon përsa i përket vaksinimit. Pse keni dështuar?”, pyeti deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, zëvendësministren e Shëndetësisë, Mira Rakacolli. Kjo e fundit u përgjigj duke thënë se nuk e pranon fjalën dështim. “Nuk e pranoj fjalën ‘dështim’. Është bërë një punë shumë e madhe dhe të gjithë jemi dëshmitarë të vaksinimit masiv që është bërë. Ka ndikuar shumë infodemia. Dhe ne do të donim që të ishim më mirë me vaksinimin (46% e popullatës janë vaksinuar me dy doza) por është çështje e infodemisë. Njerëzit kanë hezituar të vaksinohen nga informacionet që kanë dalë gjatë gjithë kohës”, tha Rakacolli.
Në diskutimin e dokumentit “… amendimi i katërt në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, Rakacolli u pyet edhe lidhur deklaratën e kryeministrit Edi Rama se Shqipëria ka bërë kontrabandë me Italinë për futjen e vaksinave, ku sipas Vokshit, Italia ka nisur edhe një hetim për këtë. Por Rakacolli nuk pranoi të përgjigjet. Ishte deputetja Desantila Tahiraj e cila e mbylli debatin duke thënë se “kryeministri solli vaksinat në kohë reale për shqiptarët dhe sigurisht që ai bëri mirë”.
Ndërkohë deputeti Petrit Vasili ngriti pyetjen nëse në vendin tonë ka pasur vaksina të skaduara.
Rakacolli u përgjigj duke thënë se bëhet fjalë për doza të humbura, jo të skaduara.
“Një flakon ka 6 doza dhe në momentin që hapet një flakon, ka një kohë të caktuar për t’u përdorur dhe nëse e kanë bërë vetëm 5 persona, doza e fundi thumb. Në çdo vend të botës ka pasur doza të humbura dhe janë të përllogaritura”, tha Rakacolli.
Rakacolli tha se Shqipëria do të marrë rreth 700 mijë doza Pfizer që janë të përshtatshme për variantet e reja.
“Ka një plan vaksinimi. Këto dozat do të merreshin më parë po e shtymë deri më tani sepse po prisnim vaksinat e përshtatshme për variantet e reja”, tha Rakacolli.
Kjo u prit me debat nga Vasili i cili i tha se gjatë gjithë kohës është bërë thirrje për vaksinim ndërkohë që ministria po priste doza të përshtatshme për variantet e reja.
“Është gabim i rëndë tu thuash njerëzve që të vaksinohen ndërkohë që ti po pret doza më të mira. Ju nuk keni pasur asnjë plan”, tha Vasili.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.