Nga Gazeta ‘Si’- Në rendin e ditës në seancën e sotme plenare është një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.
Interpelanca është kërkuar pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani në afërsi të shkollës ”Fan Noli” në Tiranë, më 18 nëntor.
Në kërkesën për interpelancë, PD ndalet edhe tek ‘Paketa e Sigurisë’ në shkolla, e propozuar më shumë se një vit më parë nga Ministria e Brendshme, por që ende nuk ka kaluar për votim në Kuvend. Kjo paketë, sipas PD është propaganduar nga qeveria sikur do të rriste sigurinë në shkolla.
“Qeveria ka propaganduar të ashtuquajturën ‘Paketa e Sigurisë në Shkolla”’ që do të identifikonte rreziqet, do të rriste sigurinë, jo vetëm brenda shkollës, por edhe ne perimetrin e sigurisë jashtë shkollave. Oficer të trajnuar duhet të merreshin me këtë çështje dhe do ishte sipas qeverisë prioritet i MAS. Në shtator të këtij viti kryeministri është shprehur se : ”se oficeri i sigurisë duhet të jetë në vend të prindërve, që duhet të njohë çdo nxënës dhe problematikat e tyre, që ata të ndihen dhe të jenë të sigurt në institucionet arsimore”. Ndërsa për të vlerësuar situatën psikologjike të fëmijës, është vendosur edhe figura e psikologut në shkolla”, thuhet në kërkesën e PD.
Kujtojmë se 14-vjeçari Martin Cani u vra nga bashkëmoshatari i tij, Mario Perlleshi, i cili e goditi me thikë në zemër gjatë një sherri mes tyre pranë shkollës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




