Mazhoranca i rrëzoi në bllok tetë dekretet e presidentit Ilir Meta, duke i hapur kështu dritën jeshile mes të tjerash edhe ndërtimit të dy rrugëve Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat me anë të koncesioneve. Një seancë që duhet të ishte maratonë, pasi mazhoranca kishte rast që të sulmonte presidentin Meta për kthimin e ligjeve, por që në të tetë pikat e rendit të ditës, gjithsej folën vetëm 12 deputetë, e ku më zjarrta ishte ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali. Ajo dhe ministrja Olta Xhaçka ishin të vetmet që folën si ministra në Parlament, ku sot mungonte kryeministri Edi Rama.
“Që presidenti të kthejë në dekrete përvuajtjet hipokrite të opozitës së rrugës, nuk e kishim menduar. Por ata nuk po ia dinë mundin që Presidenti po bën. Po presim të dëgjojmë kush do ta digjte parlamentin? Dështuan dhe vijojnë që të dështojnë, pasi nuk kanë asnjë alternativë. Komisioni Hetimor nuk do të shërbejë si mekanizëm ndëshkues për Presidentin, por si çlirues për Ilir Metën për t’u kthyer në krye të opozitës”, tha Spiropali, e cila shtoi me ironi se “nuk e di se pse presidenti e ka hallin te floriri”.

Kjo zbutje e mazhorancës duket sikur vjen pas disa sinjaleve që po lëshohen ndërmjet presidentit Meta dhe socialistëve, të cilët kanë ulur baterinë e sulmeve, pas nismës për shkarkimin e kreut të shtetit për shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Por në këtë rishqyrtim të ligjeve si kërkesë të presidentit ka rënë në sy qëndrimi i opozitës së re në Parlament, e cila po vë kushte ndaj mazhorancës socialiste. Deputetët e opozitës në seancë u shprehën pro dekreteve të presidentit Meta, i cili ishte kundër ndërtimit të dy rrugëve në formën e koncesioneve në një vlerë prej rreth 300 milionë eurosh.
Deputetja demokrate Rudina Hajdari ishte e ashpër sa i përket koncesioneve duke kërkuar që ato të jenë si pjesë e hetimeve për korrupsion nga ana e strukturës së posaçme të prokurorisë, SPAK. Sipas Hajdarit, nuk ka pasur një garë për PPP-në pasi ka qenë pa konkurs, ndërsa shtoi se po favorizohen disa kompani.

“Dekretet kanë problemet e tyre të hapura me ligjet, si janë shkruar, hartuar dhe kaluar në kuvend. Këto dy pr/ligje janë futur në mënyrë të përshpejtuar. Janë futur pa konkurrencë, duke anashkaluar ligjin e PPP-ve dhe përgjegjësinë për të eliminuar kërkesat e pakërkuara. Qeveria Rama po kërkon që të bëhen PPP për këto dy rrugë pa konkurs. Pse u futën këto dy ligje në seancën e fundit plenare? Kjo është pjesë e një plani. Prokuroria duhet të hetojë aferën korruptive. Nëse Prokuroria e Përgjithshme nuk merret, ne duhet të denoncojmë këto ligje, që nga ligji Fusha, deri tek këto dy rrugë. Nëse ne do të respektojmë ligjin, duhet të kemi vetëm një standard”, tha Hajdari.
Votat e opozitarëve në dekretet e hedhura në votim ishin pro dhe abstenim dhe shumë pak ishin kundër. Përveç shtatë ligjeve, mazhoranca rrëzoi edhe dekretin e Metës për emërimin e Petraq Milos si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pro ishin 15 vota dhe 11 abstenime (që mendohet se vinin nga radhët e opozitës), ndërsa 77 ishin kundër.
Në këtë proces votimi ,qëndrimi i opozitës ndaj dekreteve të presidentit Meta mund të shihet edhe si një sinjal ndaj mazhorancës socialiste për procedurën e shkarkimit të presidentit. Opozita e re duket se po ndjek një rrugë të qartë, duke paralajmëruar mazhorancën që të ketë kujdes me marrëveshjet e mundshme me PS-në, pasi do t’i bllokojë proceset që kanë ndikim në reformat integruese. Fillimisht sinjali u dha nga ana e deputetëve Myslim Murrizi apo dhe Ralf Gjoni të cilët u shprehën se nëse socialistët bëjnë pakt me Lulzim Bashën, do të bllokojnë reformën zgjedhore dhe nuk do të japin asnjë votë për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Votimi i sotëm mund të shihet edhe si një sinjal që opozita e re mund të bllokojë nismën e mazhorancës për shkarkimin e presidentit Meta. Kuvendit i duhen 93 votat e deputetëve për të realizuar një nismë të tillë dhe në Kuvend janë vetëm 122 deputetë.
Vetë deputetët e opozitës në komisionin e posaçëm hetimor të ngritur për shkarkimin e presidentit kanë paralajmëruar se përpara se të merrej vendimi në seancë, duhet të jetë në funksion Gjykata Kushtetuese, e cila do të japë vendimin final nëse Meta ka kryer një shkelje të rëndë të Kushtetutës me anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
Pas rrëzimit të dekreteve, do të reagonte edhe zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi. “E ftojmë të Çmendurën E. të lexojë raportin final të OSBE/ODIHR për dekretin kushtetues të Presidentit Meta dhe sjelljet antikushtetuese të Kuvendit, KQZ dhe Kolegjit Zgjedhor, që i provojnë të gjithë botës demokratike kapjen e shtetit nga Rilindja moniste. Klithmat anti-presidenciale të porositura sot me urgjencë duan të spostojnë vëmendjen nga miratimi kokëfortë i PPP-ve më të shtrenjta në botë, në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin dhe interesin publik, dhe në kurriz të qytetarëve shqiptarë”, reagoi Blushi nëpërmjet rrjeteve sociale.
Votat në parlament për dekretet
Dekreti 1 – Për Rezervat e materialet e shtetit- 19 pro, 78, 4 abstenim rrëzohet
Dekreti 2 – Akti normativ, ligji “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”- 23 pro, 76 kundër, 3 abstenim
Dekreti 3 – ligji “Për vetëqeverisjen vendore”- 22 pro , 76 kundër, 3, abstenim
Dekreti 4 – Ligjin ““Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit””- 23pro , 76, 3 abstenim
Dekreti 5 – “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”- 22 pro, 76 kundër, 4 abstenim
Dekreti 5 – Për dhënien me koncesion, PPP rrugën Orikum-Dukat- 22 pro, 74 kundër, 4 abstenim
Dekreti – Koncesioni Për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren”- 23 pro 76 kundër, 3 abstenim.
Dekreti – Për emërimin e Petraq Milos si kryetar i KLSH- 15 pro, 77 kundër, 11 abstenim, dy nuk votuan
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.