Politike

“Opozita e re”, Murrizi nënkryetar i Parlamentit, Hajdari te Integrimi

Mazhoranca zgjodhi sot me 94 vota pro dhe 1 abstenim deputetin demokrat Mylsym Murrizi si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Ai do të mbajë postin që dikur e kishte demokrati Edi Paloka. Vetë Murrizi ka abstenuar në këtë votim. Mazhoranca ka miratuar dhe plotësimin e vendeve vakante të krijuara pas dorëzimit të mandateve të deputetëve të LSI-së dhe PD-së dy muaj më parë.

Sipas propozimeve, u vendos që deputetja Rudina Hajdari të mbajë postin e kryetares së komisionit parlamentar të Integrimit. Sipas një rregullit të gjithëpranuar është vendosur që disa komisione të drejtohen nga opozita.

Deputetja Rudina Hajdari

Kështu mbi bazën e këtij parimi, Enver Roshi i dalë nga listat e LSI-së do të jetë kryetar i Komisionit të Shëndetësisë, ndërsa Fajtona Dhimitri do të jetë kryetare e komisionit parlamentar të Medias. Këto dy komisione janë drejtuar nga Albana Vokshi e PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së.
Ndërsa deputetët Ralf Gjoni është zgjedhur nënkryetar i komisionit parlamentar të Jashtëm, Halil Jakini, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Korab Lita, zv.kryetar i Komisionit të Ligjeve.
Gjithashtu deputetët e opozitës së re morën poste si Alban Zeneli dhe Myslym Murrizi do të jenë pjesë e Byrosë së Kuvendit dhe të Këshillit të Rregullores.
Opozita e re ndërkohë është bërë pjesëe edhe procesit të reformës zgjedhore. Deputetja Rudina Hajdari është edhe bashkëkryetarja e komisionit. Me insistim e deputetëve të opozitës së re është përfshirë që në objektin e komisionit të jetë edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Mazhorana e ka futur në shqyrtim këtë kërkesë, por në të njëjtën kohë ka kërkuar PD-ja të jetë e pranishme me vëzhgues pranë komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

Postet që mori ‘opozita e re’:

  • Myslym Murrizi, zëvendëskryetar i Kuvendit
  • Rudina Hajdari, kryetare e Komisionit të Integrimit Europian
  • Fatjona Dhimitri, kryetare e Komisionit të Medias dhe Edukimit
  • Enver Roshi, kryetar i Komisionit të Shëndetësisë
  • Alban Zeneli, zv.kryetar në Komisionin e Sigurisë
  • Halil Jakini, zv.kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese
  • Korab Lita, zv.kryetar i Komisionit të Ligjeve
  • Ralf Gjoni zv.kryetar i Komisionit të Jashtëm

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë