Politike

“Opozita e re”, KQZ shpall listën me 6 emra të rinj, në pritje të tjerët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas dhënies së katër mandateve të deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Shehut, Aurora Marës, Edmond Rrushit dhe Enver Rroshit ka stopuar procesin për momentin, për të pritur mbylljen e afatit 10 ditor të thirrjes për depozitimit deklaratave të Dekriminalizimit. Pas këtij procesi mësohet se KQZ-ja, pas 58 të parëve që janë për t’u zëvendësuar do të realizojë thirrje të tjera për kandidatët që janë në listën shumemërore.
Ndërsa nuk është parashikuar ndonjë mbledhje e radhës, në listën e kandidatëve për deputetë janë renditur 10 emrat, të cilët kanë pranuar marrjen e deputetit, duke riplotësuar formularin e deklarimit të Dekriminializimit.
Nga këto 4 prej tyre janë deputetë tashmë, ndërsa 6 të tjerët i përkasin listave të PD-së dhe të LSI-së. Emrat e tyre janë Lefter Maliqi, Ligoraq Karamelo dhe Majlinda Halilaj të PD-së; Ediola Braha; Edlira Hyseni; Elda Hoti të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Kandidatja e LSI-së, Ediola Braha gjatë fushatës elektorale në Gjirokastër


Mbledhja e ardhshme e KQZ-së pritet që të jetë pikërisht për dhënien e mandatit për 6 të tjerët të renditur në listë. Për Ediola Braha, kandidates së LSI-së për qarkun e Gjirokastrës, procedura mund të zgjasë, pasi deputetit aktual Vangjel Tavos, i është kërkuar që të firmosë edhe një deklaratën e dorëzimit të mandatit të deputetit. Kjo për shkak se deputeti kishte shkruar gabimisht emrin e babait të tij,
“Nxitimthi, gjatë plotësimit të formularit kam kryer një lapsus nga ana ime, në lidhje me emrin e saktë të babait, pasi nuk është shënuar sipas pasaportës. Unë i qëndroj më shumë dhe më bindshëm se kurrë qëndrimit dhe aktit politik të dorëzimit të mandatit, ndaj do e plotësoj edhe një herë formularin në mënyrë të saktë dhe do e dorëzoj me t’u kthyer në Shqipëri nga një vizitë që po bëj jashtë vendit. Por ndërkohë dua të denoncoj shkeljen e të gjitha procedurave nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për verifikimin e dokumentacionit që vërteton të dhënat e mia. Akti i formalizimit të lënies së mandateve të deputetëve të opozitës, nuk po bëhet aspak me seriozitetin e duhur”, do të deklaronte Tavo. Ai premtuar se të hënën do të nisë sërish procedurën për depozitimin e deklaratës në Kuvend, duke shuar ndonjë aludim se do të dalë kundër aksionit politik të dorëzimit të mandatit të deputetit.
Pas protestës së 5 marsit, liderët e opozitës depozituan deklaratat e kandidatëve për deputetëve, të cilët shprehën se refuzojnë të marrin mandatin e deputetit. Nga 194 emra të listës të PD-së, 103 kanë firmosur deklaratën. Ndërsa nga 146 janë 75 nga LSI-ja që kanë firmosur deklaratën.
Mësohet se më herët PD-ja kishte depozituar edhe listën me 37 kandidatët e tjerë, duke e çuar listën në total në 140 të kandidatëve. Ndërsa 41 janë deputetët, pjesë të listës fituesve, që kanë dorëzuar zyrtarisht mandatin. Ditët e fundit u mësua se Kujtim Gjuzi dhe Krenar Rryçi, kandidatë për deputetë në listën e PD-së janë pro marrjes së mandatit.

Kujtim Gjuzi, i pari djathtas, pas një takimi të Bashës me krerët e partive aleate

Që të dy janë kryetarët të Partisë Konservartore dhe të Reformave Demokratike, të renditur në listën e fundit dhe të parafundit për qarkun e Durrësit. Rryçi edhe pse ka firmosur deklaratën paraprake të refuzimit të marrjes së mandatit, mësohet se ai është tërhequr dhe është shprehur në media se do ta dorëzojë në KQZ deklaratën e Dekriminalizimit.
Lista e “tradhtarëve” pritet të jetë më e lartë brenda PD-së, pasi janë edhe 8 emra që brenda PD-së nuk janë bindur ende për të mos e marrë mandatin.
Myslym Murrizi dhe Rudina Hajdari nuk i janë bindur urdhrit të PD-së dhe nuk kanë dorëzuar.
Nga radhët e LSI-së, vetëm Lefter Koka nuk ka pranuar që të dorëzojë mandatin e deputetit. Brenda rradhëve të LSI-së, rrjedhjet e kandidateve të listës shumëmërore pritet të jenë më të shumta. Deri më tani janë shtatë gjithsej, por numri i tyre pritet të jetë më i lartë.

Katër deputetët e LSI
Ylli Shehu
Aurora Mara
Edmond Rrushi
Enver Roshi

Kandidatët e PD
Lefter Maliqi
Majlinda Halilaj
Ligoraq Karamelo
Krenar Rryçi
Kujtim Gjuzi

Kandidatët e LSI
Ediola Braha
Edlira Hyseni
Elda Hoti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë