Delegacioni i Bashkimit Europian iu ka dorëzuar partive opozitare në Kosovë, një kopje të draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas zërave të shumta se negociatat në Bruksel janë mbajtur sekrete dhe nuk ka pasur shumë transparencë rreth tij.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës konfirmoi për mediat vendase se ka marrë në dorëzim kopjen anglisht të draftit të Asociacionit, dhe shton se një mendim rreth tij, do ta japë vetëm pasi ta ketë shqyrtuar me imtësi.
Edhe partitë e tjera të opozitës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës raportohet ta kenë marrë këtë draft nga delegacioni i BE-së, por ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht.
Draft-statuti i Asociacionit i është prezantuar fillimisht kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitës së pesëshes europiane në Prishtinë gjatë muajit tetor, e ku ishte i pranishëm edhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.