Editorial

Opozita duhet t’i thotë publikut ato që ai nuk i di, jo ato që ai i di

Opozita, në krye me Sali Berishën, përsërit çdo ditë se Edi Rama i ka kapur të gjitha: drejtësinë, median, ekonominë, zgjedhjet. Se pushteti është lidhur me krimin, se korrupsioni është i përhapur dhe se vendi po rrëshqet drejt autokracisë.
Por kjo retorikë e përsëritur nuk e tërheq më publikun, për të paktën dy arsye:
së pari, sepse këto akuza ripërsëriten pa ofruar një rrugëdalje konkrete; dhe së dyti, sepse shqiptarët kanë vazhduar ta votojnë shumicën për 12 vjet rresht, pavarësisht këtyre thirrjeve.

E njëjta retorikë që Berisha përsëriti dje nuk ngjall më as kureshtjen e demokratëve, e jo më të pjesës tjetër të publikut. Fakti që opozita nuk ka arritur të ndryshojë asgjë nga ato për të cilat ankohet, është vetë lajmi sot – jo akuzat që përsërit çdo ditë.

Publiku nuk ka më nevojë t’i thuhet çfarë nuk funksionon – ai e di shumë mirë. Ajo që mungon është t’i thuhet si mund të funksionojë.
Opozita duhet të ndalojë së foluri për plagët dhe të fillojë të flasë për ilaçin. Të mos mbetet vetëm në përshkrimin e krizës, por të artikulojë rrugën e daljes prej saj.

Kur Berisha thotë se Rama “i ka kapur të gjitha”, pyetja që ngrihet natyrshëm është: si çlirohen ato që janë kapur? Cila është strategjia, mekanizmi, rruga institucionale apo qytetare që ofron opozita?
Në mungesë të një përgjigjeje, fjala “kapje” mbetet thjesht një metaforë e pafuqishme – që ngroh ndjekësit e bindur, por nuk frymëzon askënd të lëvizë.

Një opozitë që kërkon të rikthejë besimin e humbur duhet të guxojë të flasë për ato që publiku nuk i di: për alternativën, për planin, për mënyrën se si mund të ndryshohet realiteti. Duhet të flasë për reformimin e vetes, për mënyrën si mund të rikthehet morali në politikë, për njerëzit e rinj që mund të sjellin ide të reja.

Të përsërisësh akuzat është e lehtë; të ndërtosh zgjidhje është e vështirë – por është e vetmja rrugë që sjell ndryshim.
Nëse opozita vazhdon të bëjë opozitë me fjalët e djeshme, nuk mund të fitojë të ardhmen.

Publiku është lodhur nga zhurma dhe kërkon substancë. Ai nuk kërkon më të dëgjojë se kush është fajtor, por si mund të dalim nga kjo gjendje. Dhe derisa opozita të fillojë t’i thotë publikut ato që nuk i di, do të vazhdojë të flasë vetëm për veshët e vet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë