Kosova

Opozita analizon 100 ditët e qeverisjes: Qeveria “Kurti” më e dobëta në historinë e Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, është shprehur se qeveria “Kurti” për 100 ditë është karakterizuar me mosangazhim e mosvizonin, raporton Ekonomia Online.

Sipas Tahirit, duke qenë se mazhoranca nuk po ka mundësi të flasë për nismat e premtuara që është dashur të realizohen, po e kthen vëmendjen nga opozita.

“Opozita nuk e udhëheq këtë vend. Nuk është dëm e turp me kritiku për mospunën, mosangazhimin e mosvizionin e kësaj qeverisjeje. Ne thjesht po i përmendim iniciativat që nuk po shohim që kanë nisur të realizohen. Sot në këtë 100-ditësh është dashur të kritikohen për ato projekte se a po bëhen mirë ose jo. Duke mos pasur mundësi të flasim për krejt këto iniciativa, deputetët e pozitës mundohen të kthejnë vëmendjen nga opozita”, është shprehur ai.

Edhe deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e ka kritikuar punën e qeverisë “Kurti”, duke e quajtur më të dobëtën në historinë e Kosovës.

“Qeveria ‘Kurti’ do të mbahet mend si qeveria më e dobët në histori të vendit. 100 ditë dëshpërim për qytetarët”, ka thënë ajo.

Por deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, është shprehur se që në ditët e para të formimit të Qeverisë opozita shfaqi mllef ndaj Qeverisë dhe me veprime të qëllimshme po dëmtonte procese të rëndësishme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë