Nga Gazeta ‘Si’– Politika e lexoi në mënyra të ndryshme raportin e Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës.
Ndryshe nga kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi që u shpreh se raporti sipas tij konfirmoi qëndrimet e opozitës, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, tha të kundërtën.
Bushka tha në fjalën e saj në një deklaratë për media, se ‘Venecia’ ka konfirmuar qëndrimin e PS se ‘Kuvendi dërgon për shqyrtim në GJK çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti, vetëm kur konstatohet kur vetë deputeti përdor pasuri të shtetit dhe përfiton prej tyre, ndërsa rastet e tjera, Kuvendi i shqyrton vetë’.
Ajo tha se nga ana e Partisë Socialiste, çështja është trajtuar bazuar në argumente juridike dhe qëndrime që ngrihen mbi parime kushtetuese dhe jo mbi interesa politike. Ndër të tjera shtoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese apo Opinionet e Venecias nuk mund të bëhen pjesë e diskursit politik.
“Komisioni i Venecias është shprehur për 5 pyetjet ditën e sotme. Shpreh konsideratën më të lartë për personalitetet e Venecias, që e lexuan në një kohë rekord këtë çështje të rëndësishme. Ky është një shembull më shumë për të nënvizuar rolin e Venecias në funksion të forcimit të demokracisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës.
Komisioni i Venecias shprehet qartë se Parlamenti nuk është i detyruar që të votojë në një mënyrë të caktuar, por është vetëm në gjendje të votojë brenda kompetencës së vetë. Venecia konstaton se për më tepër parimi që deputetët janë të lirë të votojnë sipas bindjeve të tyre, është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese shqiptare.
Komisioni shpreh mendimin se dy vendimet e Kushtetueses për mandatin e Xhaçkës, nuk duhet të ishin kufizuar nga votimi në Kuvend për zbatimin e tyre. Me një fjalë vendimet e GJK duhet të jenë të zbatueshme dhe nuk duhet të diktojnë votën.
Venecia konfirmoi qëndrimin e mazhorancës se sipas jurisprudencës së GJK shqiptare, Kuvendi dërgon për shqyrtim në GJK çështjen e papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti, vetëm kur konstatohet kur jemi para rastit të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, pra kur vetë deputeti përdor pasuri të shtetit dhe përfiton prej tyre, ndërsa rastet e tjera, Kuvendi i shqyrton vetë”, tha Bushka.
Pas saj, njëjtë ka reaguar edhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali e cila tha se tani është e qartë për të gjithë sipas saj, se qëndrimi i mazhorancës nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshëm të Kuvendit.
Ajo shtoi se sipas Kushtetuesja ndërhyri në pavarësinë e Kuvendit.
Besoj tani është e qartë për të gjithë se qëndrimi ynë lidhur me procesin e trajtimit të mandatit të deputetes Olta Xhaçka nuk ishte një qëndrim as politik, as partiak, por një qëndrim kushtetues që lidhet me sovranitetin e paprekshem të Kuvendit!
— Elisa Spiropali (@elisaspiropali) December 10, 2024
Gjykata Kushtetuese ka kërkuar…
“Gjykata Kushtetuese ka kërkuar që deputetët të votojnë në një mënyrë të caktuar dhe kjo nga ne është lexuar jo thjesht si ndërhyrje në pavarësinë e Kuvendit, por në radhë të parë si një vendim i pazbatueshëm për shkak të pamundësisë së një rregulli që i imponon deputetit se si të votojë! Sot morën përgjigje edhe të gjitha akuzat, shpifjet dhe propaganda me të pavërteta kundër këtij qëndrimi, por si Kryetare Kuvendi ndjehem e lehtësuar dhe për këtë falenderoj Komisionin e Venecias që e shqyrtoi me shpejtësi dhe seriozitet maksimal kërkesën time.
Kam bindjen se ky opinion i drejtë do i shërbejë të gjitha palëve dhe institucioneve për reflektim në zgjidhjen drejt të çështjeve në lidhje me papajtueshmërinë e mandatit të deputetit në të ardhmen”, shkroi ajo në X.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.