Nga Madeleine Albright* – Në fillim të vitit 2000, isha e para sekretare shteti në SHBA që takoja Vladimir Putin i sapoemëruar president i Rusisë.
Ne në administratën e Klintonit nuk dinim shumë për të në atë kohë – vetëm se ai e kishte filluar karrierën e tij në K.G.B.
Shpresoja se takimi do të më ndihmonte të merrja masat e duhura dhe të vlerësoja se çfarë mund të nënkuptojë ky takim për marrëdhëniet SHBA-Rusi, të cilat ishin përkeqësuar në mes të luftës në Çeçeni.
E ulur përballë me të në një tavoline të vogël në Kremlin, u befasova menjëherë nga kontrasti midis zotit Putin dhe paraardhësit të tij, Boris Yeltsin.
Putin foli në takim pa emocione dhe pa mbajtur shënim mbi vendosmërinë e tij për të ringjallur ekonominë e Rusisë dhe për të shuar rebelët çeçenë.
Duke fluturuar për në shtëpi, bëra disa shënime mbi përshtypjet e mia. “Putini më ngjau i vogël,” shkrova unë, “dhe i ftohtë”.
Ai pretendoi se e kuptonte arsyen se pse Muri i Berlinit duhej të binte, por nuk priste që i gjithë Bashkimi Sovjetik të shembej. “Putini ndihej i turpëruar nga ajo që i ndodhi vendit të tij dhe i vendosur të rivendosë madhështinë e tij”.
Muajt e fundit më është kujtuar ai takim gati tre orësh me zotin Putin, teksa ai kishte grumbulluar trupa në kufirin me Ukrainën fqinje. Pasi e quajti debatin për Ukrainën një trillim në një fjalim të çuditshëm televiziv, ai nxori një dekret që njihte pavarësinë e dy republikave të kontrolluara nga separatistët në Ukrainë duke dërguar më pas trupa
Pohimi revizionist dhe absurd i zotit Putin se Ukraina ishte “krijuar tërësisht nga Rusia” dhe se ajo u grabit është plotësisht në përputhje me botëkuptimin e tij të deformuar. Dhe më shqetësuesja për mua ishte përpjekja e tij për të krijuar një pretekst për një pushtim në shkallë të gjerë.
Madeleine Albright dhe Vladimir Putin
Nëse ai e bën këtë, atëherë do të jetë një gabim historik.
Në 20 vitet e çuditshme të tij që kur u takuam për herë të parë, zoti Putin ka ndërtuar rrugën e tij. Ai ka mbledhur pushtet politik dhe ekonomik në favor të vetes së vet – duke shtypur konkurrencën e mundshme – ndërkohë që vijon me idenë e rivendosjes së dominimit rus përmes pjesëve të ish-Bashkimit Sovjetik.
Ashtu si autoritarët e tjerë, ai e barazon mirëqenien e tij me atë të kombit ndërsa opozitën me tradhtinë. Sipas tij, në një botë ku të gjithë gënjejnë, ai nuk është i detyruar të thotë të vërtetën. Duke besuar se Shtetet e Bashkuara dominojnë rajonin e tyre me forcë, ai mendon se Rusia ka të njëjtën të drejtë.
Zoti Putin për vite të tëra e ka njollosur reputacionin ndërkombëtar të vendit të tij, ka synuar të zgjerojë fuqinë ushtarake dhe ekonomike të Rusisë, të dobësojë NATO-n dhe të ndajë Evropën (duke krijuar një pykë midis saj dhe Shteteve të Bashkuara). Ukraina veçohet në të gjitha këto.
Në vend që t’i hapte rrugën Rusisë drejt madhështisë, pushtimi i Ukrainës do të siguronte turpin e zotit Putin duke e lënë vendin e tij të izoluar diplomatikisht, ekonomikisht të gjymtuar dhe strategjikisht të pambrojtur përballë një aleance perëndimore më të fortë dhe më të bashkuar.
Ai njoftoi të hënën vendimin e tij për të njohur dy enklavat separatiste në Ukrainë duke dërguar trupa ruse si “paqeruajtës”.
Veprimet e zotit Putin kanë shkaktuar sanksione masive, që do të pasojnë me të tjera nëse ai fillon një sulm në shkallë të gjerë dhe tenton të pushtojë të gjithë vendin.
Këto do të shkatërronin jo vetëm ekonominë e vendit të tij, por edhe rrethin e ngushtë të miqve të tij të korruptuar – të cilët nga ana e tyre mund të sfidonin udhëheqjen e tij.
Një luftë e përgjakshme dhe katastrofike do të thajë burimet ruse dhe do të kushtojë po ashtu jetë – ndërkohë që do të nxisë Evropën për masa kundrejt varësisë së saj nga energjia ruse. (Kjo ka filluar tashmë me lëvizjen e Gjermanisë për të pezulluar certifikimin e tubacionit të gazit natyror Nord Stream 2.)
Një akt i tillë agresioni do ta shtynte NATO-n të përforconte ndjeshëm krahun e saj lindor dhe të merrte në konsideratë vendosjen e përhershme të forcave në shtetet baltike, Poloni dhe Rumani. (Presidenti Biden tha të martën se po lëvizte më shumë trupa në Baltik.) Dhe kjo do të gjeneronte rezistencë të ashpër të armatosur ukrainase, me mbështetje të fortë nga Perëndimi. Një përpjekje është duke u zhvilluar për të krijuar një përgjigje legjislative që do të përfshinte intensifikimin e ndihmës për Ukrainën. Kjo është larg një përsëritjeje të aneksimit të Krimesë nga Rusia në 2014; do të ishte një skenar që të kujton okupimin fatkeq të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1980.

Zoti Biden dhe liderë të tjerë perëndimorë e kanë bërë shumë të qartë këtë raund pas raundi. Por edhe nëse Perëndimi në një farë mënyre do të jetë në gjendje ta pengojë zotin Putin nga lufta e gjithanshme – gjë që nuk është aspak e sigurt tani – është e rëndësishme të kujtojmë se loja e tij e zgjedhur nuk është shahu, siç supozojnë disa, por më tepër xhudo. Ai do të vazhdojë të kërkojë një shans për të rritur ndikimin e tij, ndërsa do të jetë në dorën e Shteteve të Bashkuara dhe miqve të saj që t’ia mohojnë këtë mundësi duke mbështetur dhe mbajtur një qëndrim të fuqishëm diplomatik dhe duke rritur mbështetjen ekonomike dhe ushtarake për Ukrainën.
Edhe pse zoti Putin, nisur nga përvoja sime, nuk do të pranojë kurrë se ka bërë një gabim, ai ka treguar se mund të jetë edhe i durueshëm, edhe pragmatik. Ai është gjithashtu i vetëdijshëm se konfrontimi aktual e ka lënë atë edhe më të varur nga Kina; ai e di se Rusia nuk mund të përparojë pa disa lidhje me Perëndimin. “Sigurisht, më pëlqen ushqimi kinez. Është kënaqësi të përdorësh shkopinj”, më tha ai në takimin tonë të parë. “Por kjo është diçka e parëndësishme. Nuk është mentaliteti ynë, që është evropian. Rusia duhet të jetë pjesë e fortë e Perëndimit”.
Zoti Putin duhet ta dijë se një Luftë e dytë e Ftohtë nuk do të shkonte domosdoshmërisht mirë për Rusinë – edhe me armët e saj bërthamore. SHBA me aleatë të fortë mund të gjenden pothuajse në çdo kontinent. Miqtë e zotit Putin, ndërkohë, përfshijnë njerëz si Bashar al-Assad, Alexander Lukashenko dhe Kim Jong-un.
Nëse zoti Putin ndihet i mbështetur në një cep, ai ka vetëm veten për të fajësuar. Siç ka vënë në dukje zoti Biden, Shtetet e Bashkuara nuk kanë dëshirë të destabilizojnë apo privojnë Rusinë nga aspiratat e saj legjitime. Kjo është arsyeja pse administrata dhe aleatët e saj kanë ofruar të angazhohen në bisedime me Moskën për një gamë të hapur çështjesh sigurie. Por Amerika duhet të insistojë që Rusia të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare që janë të zbatueshme për të gjitha kombet.
Z. Putin dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, pretendojnë se tani jetojmë në një botë shumëpolare. Ndonëse kjo është e vetëkuptueshme, kjo nuk do të thotë se fuqitë e mëdha kanë të drejtë të copëtojnë globin në sfera të ndikimit, siç bënë perandoritë koloniale shekuj më parë.
Ukraina ka të drejtë në sovranitetin e saj, pavarësisht se cilët janë fqinjët e saj. Në epokën moderne, vendet e mëdha e pranojnë këtë, dhe po ashtu edhe zoti Putin. Ky është mesazhi që ravijëzon diplomacinë e fundit perëndimore. Ai përcakton ndryshimin midis një bote të qeverisur nga sundimi i ligjit dhe një bote që nuk i përgjigjet fare rregullave.
*Madeleine Albright, ish-Sekretare Amerikane e Shtetit
Marrë nga New York Times/ Përshtati në shqip: Gazeta ‘Si” (Botuar me 23 shkurt 2022)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



