Nuk ka paqe për Kingsli Koman. Pas tre dëmtimeve në të njëjtën kavilje brenda një viti, që e kishin bërë të mendonte edhe lamtumirën nga futbolli, sulmuesi francez është i detyruar të ndalet sërish, këtë herë për probleme kardiake.
Lajmin e ka bërë të ditur trajneri i Bajernit, Julian Nagelsman: “Koman është operuar dje, – ka thënë ai në konferencë shtypi. – Kishte rrahje pak më të shpeshta të zemrës, një shqetësim i vogël. Ndonjëherë ka pasur vështirësi në frymëmarrje, prandaj dhe kemi ndjekur këtë procedurë, duke i bërë një elektrokardiogramë për një kohë të gjatë. Të martën do të bëjë përsëri një kardio-training dhe nuk do të qëndrojë jashtë për më shumë se dy javë”.

Duke përjashtuar ndonjë komplikacion të mundshëm, Koman duhet të kthehet në dispozicion të trajnerit në tetor. Sezoni nuk ka nisur mire për francezin, i cili është aktivizuar në tri ndeshje deri tani. Madje, në ndeshjen e fundit luajti shumë pak, sepse, siç ka shpjeguar trajneri Nagelsman, ka pasur edhe një problem me stomakun. “Na u desh të prisnim, sepse shkoi në tualet para se të futej në fushë”, – tha trajneri i bavarezëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




