Nga Gazeta Si- Linjat e transportit urban në Tiranë do të menaxhohen nga vetë shteti i cili, sipas burimeve, ka parashikuar të rrisë biletat e urbanit për linjat kryesore të Tiranës nga 40 lekë në 70 lekë.
Por operatorët aktualë të transportit urban në Tiranë, nisur dhe nga vendimi i bashkisë së Kamzës, kanë pohuar për Gazetasi.al se edhe ata prej muajit qershor të këtij viti kanë gati një propozim për rritjen sërish të çmimit të biletës nga 40 lek në 70 lek.
“Ne vijojmë të jemi në situatë jo të mirë financiare dhe rritja e çmimit të biletës është e domosdoshme. Ne e kemi bërë gati një propozim të tillë por për shkak të kushteve në të cilën ndodhet bashkia e Tiranës, ne e kemi akoma të protokolluar. Në fillim pritëm zgjedhjet në Tiranë, për të kërkuar një takim me kryetarin e zgjedhur, por tani që zgjedhjet nuk do të bëhen, të paktën për momentin, ne nuk e dimë si do të shkojë filli i propozimit tonë”, thotë një nga përfaqësuesit e linjës së Kombinat-Kinostudios.
Burimet thonë për Gazetasi.al se kjo rritje nuk do të bëhet sipas propozimit të operatorëve, por do të jetë vetë shteti që do ta centralizojë shërbimin urban qytetas.
“Ata kanë vendosur ngritjen e një shoqërie aksionare “Mobal” sh.a., e cila do të ofrojë shërbim transporti publik rrugor të udhëtarëve, duke përfshirë edhe linjat drejt destinacioneve turistike’, vijojnë burimet.
Kaosi në urbane, vonesa në stacion dhe mungesë të respektimit të orarit
Megjithëse në stacionet e qëndrimit dhe pritjes së urbanit në Tiranë, janë afishuar oraret e lëvizjes së urbanëve, këto orare nuk respektohen.
Lëvizja apo qëndrimi në stacion është vendim që e marrin vetë drejtuesit e urbanit dhe fatorinot, në varësi të xhiros që kanë bërë gjatë ditës.
Teksa ankesat e qytetarëve rriten, jo vetëm për shkak të mbingarkesës së urbanëve, por dhe kushteve jo të mira higjienike, mungesës së kondicionimit në dimër e verë dhe orareve sipas shoferëve të urbanëve, rritja e biletës do të jetë një tjetër goditje për qytetarin.
“Mobal” ka një kapital fillestar 10 milionë lekë dhe pronësi 100% shtetërore dhe do të jetë nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Krahas aktiviteteve të mësipërme, shoqëria e re do të ofrojë edhe shërbimin e transportit të nxënësve dhe punonjësve arsimorë, që pritet të nisë në shtator 2026.
Më tej, “Mobal” do të përfshihet edhe tek sistemet e karikimit për mjetet elektrike dhe biletimin elektronik.
Shoqëria e re do të ketë edhe kompetenca të tjera, përfshirë organizimin, licencimin dhe monitorimin e shërbimeve të transportit publik sipas legjislacionit në fuqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



