Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur vendimin për verifikimin e masave të sigurimit për 14 të arrestuarit e operacionit ndërkombëtar “Ura”.
Gjyqtarja Rudina Palloj la në fuqi masat “arrest në burg” për 11 të dyshuarit, ndërsa për avokatin Armand Tragaj vendosi “detyrim paraqitje”.
Masë më e butë sigurie po ajo e “detyrimit për paraqitje” është caktuar edhe për dy persona të tjerë, Ervis Deti dhe Bexhet Mema.
Mes personave të ndaluar ishte edhe ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina, ku avokati i tij mbrojtës, Rigert Koni, i kërkoi prokurorisë të përcaktojë rolet dhe episodet për secilin nga këto persona.
Kjo për shkak se disa prej mbrojtësve kërkojnë që klientëve të tyre t’i përcaktohet saktësisht vepra penale, pasi nuk pranojnë që të jenë pjesë e grupit kriminal në fjalë.
Sipas avokatëve, materialet e përcjella nga autoritetet italiane janë të vetmet prova ku mbështeten dyshimet e arsyeshme që janë komunikimet e kryera në “Sky ECC”.
Mbrojtësit ligjorë i kanë kërkuar prokurorisë që përveç bisedave në “Sky” fakti të mbështetet edhe në prova të tjera.
Ata janë Orgest Molla, Armand Tragaj, Altin Morina, Akil Ndrejaku, Musa Koça, Rando Aliu, Sokol Isteri Tatani, Bexhet Mema, Ervis Deti, Ligor Çombashi, Altin Pjetri, Ervin Zeqiri, Gezim Thartori, Alfred Hysa.
Pesë të tjerëve, masa e sigurisë u është komunikuar në gjykatat e zakonshme me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Ndërsa shtatë të tjerë do të njihen me masat po këtë të premte, por në shtetin fqinj.
Në total u vunë nën hetim 40 shtetas shqiptarë dhe 12 shtetas italianë, të përfshirë në tre grupe të organizuara kriminale – njëra me bazë në Durrës dhe dy të tjera në rajonin e Puglias, Itali.
Gjatë hetimeve të zhvilluara në periudhën 2020–2025, janë dokumentuar 40 episode të trafikimit të lëndëve narkotike, përfshirë edhe sekuestrimin e sasive të konsiderueshme heroine dhe kokaine në Shqipëri, Itali dhe vende të tjera të Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.