Drejtësia

Operacioni ‘Ura’ / Burg për Genti Ndërjakun dhe Ervis Detin, do ekstradohen në Itali

Gazeta Si – Gjykata e Tiranës ka miratuar kërkesën e autoriteteve italiane për nisjen e procedurave të ekstradimit për Genti Ndërjakun, i njohur edhe me emrin Ekil Ndërjaku dhe Ervis Detin, të dy të arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura” për goditjen e organizatës kriminale të trafikut të drogës me bazë në Durrës.

Me kërkesë të prokurorit Endrit Bimi, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy të ndaluarit, në pritje të mbërritjes së dokumentacionit të nevojshëm për ekstradim nga autoritetet italiane.

Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës urdhëroi gjithashtu kalimin e dosjes në Gjykatën e Durrësit, për shkak se të arrestuarit janë banorë të këtij qyteti, duke e shpallur atë si gjykatën kompetente për vijimin e procedurave.

Genti Ndërjaku ndodhej tashmë në paraburgim në momentin e ndërhyrjes, pasi është duke u gjykuar për përfshirje në atentatin e ndodhur në Shkozet më 1 nëntor 2019, ku mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku.

Ndërkohë, Ervis Deti u arrestua gjatë operacionit të koduar “Ura”, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Barit në Itali.

Për të dyshuarit e tjerë, ndaj të cilëve është caktuar masa e sigurisë në mungesë nga Gjykata e Posaçme, pritet që të premten të zhvillohet seanca për verifikimin e masës dhe marrjen e tyre në pyetje.

Në njoftimin zyrtar për këtë operacion të përbashkët mes Shqipërisë e Italisë, Eurojust thotë se anëtarët e grupit kriminal ishin përfshirë në pagesa, shpesh kesh që afërisht shkojnë në shifrën e 5 milionë Eurove.

Agjencia Europiane deklaron se hetimet ishin iniciuar në vitin 2016 nga Prokuroria e Barit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia Shqiptare. Grupi, thotë Eurojust, ishte përgjegjës për transportin dhe shpërndarjen me shumicë të sasive të mëdha të kokainës, heroinës dhe kanabisit të trafikuara midis Ballkanit, Evropës Veriore, Amerikës së Jugut dhe Pulias në Itali.

Në total u lëshuan 52 urdhër arreste. Janë ekzekutuar 42 masa, 30 prej tyre në Shqipëri. Gjatë operacionit të koduar “Ura” u prangosën anëtarë të kësaj organizate, policë dhe biznesmenë. 

Gjatë hetimit janë sekuestruar 3 milionë euro kesh, 3 restorante në Durrës, një bar kafe, 6 shoqëri tregtare dhe 1 televizion në qytetin e Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë