Ne rrjet

Operacioni më i madh policor në Rio de Zhaneiro kundër një grupi kriminal

Të martën, lagje të tëra të qytetit brazilian u shndërruan në zona lufte: objektivi ishte banda "Komando Vermelho"

Gazeta Si – Të martën, në Rio de Janeiro u zhvillua një operacion i madh policor kundër grupit kriminal “Comando Vermelho”, një nga më të mëdhenjtë në qytet dhe në vend.

Përleshjet zgjatën për disa orë, duke shndërruar lagje të tëra në zona lufte dhe duke vrarë 64 persona. Në shenjë hakmarrjeje, grupi kriminal bllokoi shumë rrugë në Rio, duke vjedhur autobusë dhe duke i ngritur ato si barrikada, ose duke i vënë flakën makinave.

Është operacioni më vdekjeprurës në historinë e Rio de Zhaneiros, si dhe një nga më të mëdhenjtë, ku morën pjesë 2,500 oficerë policie, civilë dhe forca ushtarake.

Autoritetet i kanë përshkruar gjashtëdhjetë nga personat e vrarë si “të dyshuar për krime”, katër prej të cilëve ishin oficerë policie, por u plagosën edhe disa kalimtarë dhe banorë të zonës. Autoritetet e Rios thanë se “Comando Vermelho” përdori gjithashtu dronë për të qëlluar mbi policinë.

Autoblindat e policisë bllokojnë hyrjet në lagje

Operacioni, i quajtur “Contençao” (Mbajtja nën kontroll), filloi në orët e para të mëngjesit të së martës, kur mijëra oficerë, 32 automjete të blinduara dhe 12 automjete shkatërrimi bllokuan hyrjen në lagjet “Alemão” dhe “Penha” në veri të qytetit, jo shumë larg aeroportit ndërkombëtar.

Atje jetojnë midis 200,000 dhe 300,000 banorë dhe ato janë dy të ashtuquajtura “favela”, lagje që u krijuan spontanisht dhe në mënyrë informale, të karakterizuara nga ndërtesa kaotike të mbushura me njerëz, rrugica të shumta dhe shpesh të kontrolluara nga bandat kriminale.

“Alemão” dhe “Penha” janë nën kontrollin e “Comando Vermelho” (Komanda e Kuqe), aktivitetet kryesore të së cilës janë trafikimi i drogës dhe zhvatja. Operacioni kishte si qëllim të deklaruar kufizimin e zgjerimit të grupit.

Një nga të plagosurit u dërgua në Spitalin “Getulio Vargas” në Rio

Oficerët rrethuan zona të mëdha dhe hynë në lagje (diçka që normalisht nuk e bëjnë). Anëtarët e grupit kriminal u përgjigjën me armë zjarri.

Policia përdori dronë dhe tha se u sulmuan edhe nga dronë, të cilët u përdorën nga bandat për të lëshuar pajisje të vogla shpërthyese për të ngadalësuar përparimin e tyre. Përleshjet zgjatën me orë të tëra.

Në përgjigje të sulmit, “Komanda e Kuqe” bllokoi disa zona të Rio de Zhaneiro-s, duke i vënë flakën makinave të parkuara në mes të rrugëve të ngarkuara dhe duke vjedhur mbi 50 autobusë, të cilët u përdorën si barrikada për të bllokuar trafikun.

Një pjesë e madhe e rrjetit të autobusëve të qytetit u ndërpre ose pësoi vonesa të konsiderueshme (kompania e transportit të qytetit raportoi vonesa në 120 itinerare, pastaj ndaloi regjistrimin e tyre).

Guvernatori i shtetit të Rio de Zhaneiros, Cláudio Castro, i Partisë Liberale të ekstremit të djathtë (partia e ish-presidentit Jair Bolsonaro), e quajti operacionin “më të madhin në historinë e shtetit”.

Numri i njerëzve të vrarë është sigurisht më i larti në operacione të ngjashme, të cilat më parë janë kritikuar dhe denoncuar për përdorimin pa dallim të dhunës nga oficerët e policisë, të akuzuar për ekzekutime të të dyshuarve.

Në javët e fundit, Castro ishte ankuar gjithashtu për mungesën e mbështetjes në luftën kundër krimit të organizuar nga qeveria qendrore e presidentit Luiz Inácio Lula da Silva (Partia e Punëtorëve e krahut të majtë).

Duke komentuar operacionin, ai tha se qeveria e tij “është lënë vetëm”, ​​por specifikoi se operacioni ishte planifikuar dhe ishte rezultat i hetimeve të gjata.

Prandaj, operacioni është tashmë në qendër të polemikave politike: e djathta argumenton se qeveria federale nuk po bën mjaftueshëm dhe se lufta kundër grupeve kriminale nuk mund të konsiderohet si një çështje për shtetet individuale.

Në orët që pasuan, qeveria njoftoi se disa nga anëtarët e saj, përfshirë ministrin e Drejtësisë dhe Sigurisë Publike, Ricardo Lewandowski, do të takohen me Castron në Rio që të mërkurën.

Megjithatë, për momentin, ajo ka përjashtuar mundësinë e një “Dekreti për Garantimin e Ligjit dhe Rendit”, një mjet që do të lejonte vendosjen e ushtrisë në Rio de Zhaneiro.

Policia Federale lëshoi një deklaratë që rendiste ndërhyrjet dhe operacionet e kryera së fundmi në mbështetje të policisë shtetërore të Rios.

Disa nga personat e arrestuar në operacionin policor në lagjen “Penha” të Rio de Zhaneiros

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë