Gazeta Si - Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka konfirmuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 9 prej 14 të arrestuarve si pasojë e megaoperacionit të SPAK ku u goditën 7 grupe kriminale.
Vendimi u dha këtë të diel në seancën që nisi në orën 10:00, por u shty me disa orë për shkak se avokatët mbrojtës kërkuan që të njihen me dosjen.
Disa nga personat që janë lënë në "arrest me burg", janë Naim Stafuka, Armando Ndreca, Robert Laçi, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Deivis Bajramaj, Drianto Bardhi dhe Miri Bruli.
Si pasojë e dosjes që njihet si “Metamorfoza 2”, u goditën 7 grupe kriminale. Jashtë Shqipërisë janë arrestuar 6 persona, ndërsa 30 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Nga ky hetim u zbuluan aleancat mes grupeve kriminale për të goditur njëri-tjetrin për shkak të kontrollit të marrjes ëë territorit për trafik droge dhe ushtrim të paligjshëm të lojërave të fatit.
Urdhër-arrestet u nxorrën për personazhe të njohur të botës së krimit dhe në to përfshihej edhe ish-deputeti socialist Arben Ndoka dhe 4 zyrtarë policorë.
Policia tha se sekuestroi shuma të mëdha parash cash, flori, bizhuteri e makina të blinduara, vlera e të cilave shkon në rreth 3 milionë euro.
Falë këtij hetimi, SPAK ka zbardhur gjithashtu një sërë ngjarjesh kriminale dhe vrasje të bujshme që kanë ndodhur disa vite më parë
Sipas SPAK, operacioni është zhvilluar në kuadër të 4 procedimeve penale ku janë evidentuar kryerja e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.
Në kuadër të procedimeve penale të mësipërme, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke ka shtrirë hetimet edhe në këto shtete për anëtarët e dyshuar të këtyre grupeve kriminale të përfshirë në vepra penale të kryera në Shqipëri, si dhe në disa vende të tjera në Bashkimin Evropian.
Operacioni i Drejtuar nga SPAK dhe i dakortësuar me Europol më datë 17 maj 2024, zgjati për rreth 20 orë, ku u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një Oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë Operacion.
U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.