Forcat Speciale të Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, policia e Lezhës dhe e Kurbinit kanë kryer kontrolle të befasishme në disa ambiente për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.
Policia njofton se gjatë kontrolleve janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe targa të vjedhura që u përkisnin automjeteve të tjera. Mësohet se këto targa e arma dyshohet se do të përdoreshin për të kryer ngjarje kriminale.
Në pranga ra 30- vjeçari Can Karriqi, si poseduesi i armës së zjarrit dhe targave të vjedhura, i cili rezultoi me precedentë të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj personit.
“Në Fushë-Milot, në ambientet e jashtme të një kompleksi u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “GLOCK”, me një krehër me 14 fishekë, që i përkiste shtetasit Can Karriqi, 30 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik në xhepin e xhupit iu gjet një krehër i markës “GLOCK”, me 16 fishekë të kalibrit 9 mm pa leje”, tha policia.
Gjithashtu, u shoqëruan për verifikim edhe 5 persona me precedent të mëparshëm penal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.