Policia e Shtetit ka dhënë detaje për operacionin “Bosfor” me qëllim goditjen e trafikut të paligjshëm të armëve të prodhuara në Turqi.
Operacioni u shtri në 24 vende, teksa policia shqiptare thotë se në Shqipëri janë arrestuar 9 persona si dhe janë konstatuar 7 armë zjarri që janë sekuestruar, 3 pistoleta, 3 automatikë dhe 1 mitraloz, 881 fishekë si dhe sasi të vogla kanabisi, paketa cigaresh dhe 2 dokumente false.
“Në Shqipëri, në kuadër të operacionit, me qëllim raportimin nëpërmjet Siena, nuk ka pasur raste të konstatimit/sekuestrimit të armëve të konvertuara apo gazi apoalarim, por janë sekuestruar 7 armë zjarri, nga këto: 3 pistoleta, 3 automatikë dhe 1 mitraloz, 881 fishekë, sasi të vogla cannabis sativa, paketa cigaresh dhe 2 dokumente false (Leje qëndrimi dhe leje drejtimi polake), si dhe janë arrestuar 9 persona”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se ky operacion zgjati 9 ditë nga 2-11 nëntori teksa EUROPOL pak më parë njoftoi se kontrolle pati në 81 banesa në Shqipëri, Portugali, Greqi e Rumani.
“Gjatë harkut të ditëve të veprimit, oficerët e policisë nga Shqipëria, Greqia, Portugalia dhe Rumania kryen 81 kontrolle banesash. Këto hetime çuan në arrestimin e 11 personave dhe në konfiskim e 191 armë zjarri, 3714 gëzhoja municionesh, sasi të vogla droge përfshirë hashash (cannabis sativa) dhe kokainë, paketa cigaresh të pavulosura, 1 automjet, 164 cope lëndë piroteknike, dokumente identifikimi false”, thotë ndër të tjera policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




