Gazeta Si – Kontrolle të policisë në liqenin e Komanit dhe lumin e Shalës, për mjetet lundruese që operojnë për qëllime argëtimi dhe lundrimi.
Në nisje të këtij operacioni, në vendin ku ankorohen mjetet lundruese në liqenin e Komanit u konstatuan 13 varka artizanale që nuk përmbushnin kriteret e sigurisë dhe nuk ishin të pajisura me dokumentacionin përkatës.
Në vijim, në hyrje të liqenit të Komanit, u konstatua një traget me mbishkrimin “Rozafa”, për të cilin specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar kanë referuar materialet në Prokurori, pasi u konstatua për herë të dytë, në cenim të plotë të ligjeve për lundrim dhe të kritereve të sigurisë.
Gjithashtu, janë konstatuar edhe 5 mjete lundruese skafë, drejtuesit e të cilëve kishin autorizim për përdorim personal, por jo për të ushtruar veprimtari ekonomike si operator turistik. Drejtuesit e këtyre skafëve nuk u lejuan të merrnin pasagjerë në bord.
Nga kontrollet u konstatuan edhe 25 varka artizanale të bregëzuara në pjesë të ndryshme të liqenit të Komanit. Shërbimet e Policisë vijojnë verifikimet për të identifikuar pronarët e këtyre mjeteve, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme për bllokimin e mjeteve lundruese që nuk përmbushin kushtet e sigurisë, për transportimin ditor, për qëllime turistike, të turistëve dhe vizitorëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




