Ka ndodhur

Aksion kundër lojërave të fatit / 116 të arrestuar në gjithë vendin, kontrolle në 1.078 ambiente

Gazeta Si – Të paktën 116 persona janë arrestuar në një operacion kombëtar kundër lojërave të paligjshme të fatit.

Gjatë operacionit, oficerët kanë bastisur 1.078 ambiente, ndërsa 89 të tjerë janë nën hetim. Sipas policisë, janë sekuestruar edhe para, drogë, municion luftarak dhe tavolina pokeri.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, doli në një konferencë për shtyp për të folur pikërisht për rezultatet e këtij aksioni që tha se ishte i ndarë në dy faza.

“Faza e parë u zhvillua nga data 25 nëntor deri më datë 30 Nëntor, ndërsa faza e dytë u zhvillua nga data 1 dhjetor deri në mbrëmjen e datës 6 dhjetor”, u shpreh Rrumbullaku.

Si pasojë e të këtij operacioni, u kontrolluan 1078 lokale dhe ambiente të tjera, në të cilat dyshohej se organizoheshin lojëra fati.

Në 253 ambiente u konstatuan paligjshmëri në këtë fushë, ndërkohë që u kontrolluan 1895 persona.

Si rezultat janë evidentuar 181 raste, nga të cilat u proceduan 210 persona. 116 janë arrestuar në flagrancë, 89 u proceduan në gjendje të lirë ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim.

“Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, janë arrestuar 102 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 68 të tjerë”, u shpreh Rrumbullaku.

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan: 4 tavolina për lojën Poker me valixhe me çipsa dhe me letra bixhozi, 184 celularë, 25 njësi kompjuterike, zara, 174 000 Lekë, 20 434 Euro dhe 11 360 Paund që i shërbenin lojërave të fatit, si dhe sasi kanabisi, municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike, 1 mjet prerës (thikë) dhe 1 automjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë