Gazeta Si – Në një mega-operacion në shkallë të gjerë në disa qyteteve të vendit, Prokuroria e Posaçme ka arrestuar deri tani të paktën 6 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale, nga vrasja, korrupsioni deri te grup i strukturuar kriminal.
Mes tyre, sipas burimeve paraprake, janë edhe zyrtarë të policisë, prokurorisë dhe një biznesmen. Bëhet fjalë për ish-drejtuesin e Operacionales, Oltion Bistri, i shkarkuar nga detyra vetëm pak ditë më parë, drejtuesi i Prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita dhe biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe shoqëruesi i tij Edmond Preka.
Mes të arrestuarve po ashtu është edhe Astmer Bilali, i arrestuar në vitin 2018 si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.
Në pranga raportohet të ketë rënë edhe Ardit Hasanbegaj, ish-shef për Krimet në Berat, i përjashtuar nga radhët e policisë një vit më parë, pas zbulimit të serave me kanabis në fshatin Drenovicë të Beratit.
Burimet shprehen se mes personave të ndaluar ishin dhe Ilir Bajri dhe Safet Bajri alias (Rustemi), por pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë.
Paraprakisht raportohet se mbi ta rëndojnë vepra të ndryshme penale, si shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim të produkteve të veprës penale, organizatë kriminale, grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në organizata kriminale, deri te vrasje.
Akuzohet për vrasje në 2020, shpallet në kërkim Ervis Martinaj
Në kuadër të këtij operacioni i konsideruar “top secret”, agjentët e policisë kanë shkuar mëngjesin e sotëm, duke ushtruar kontroll edhe në banesën e Ervis Martinajt në Fushë-Kuqe, i dyshuar për vrasje në qytetin e Shkodrës të ndodhur në vitin 2020.
Sipas informacioneve, ai akuzohet për bashkëpunim me grupin Bajraj dhe sigurim të kushteve për të kryer vrasje ndaj shtetasit Kleant Musabelliu.
Martinaj, i zhdukur që prej verës së vitit të shkuar, ishte shpallur në kërkim nga policia për vepra të ndryshme penale.
Kjo është masa e dytë e arrestit që SPAK ka lëshuar për ish-bosin e lojërave të fatit pas shpalljes në kërkim të tij në 18 maj 2022 gjatë operacionit “Plumbi i artë”.
Në maj 2022 Ervis Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK pas rrëfimeve të Nuredin Dumanit se i kishte premtuar 500 mijë euro në këmbim të eliminimit fizik të një prej armiqve të tij të shumtë, Indrit Dokle. E
rvis Martinaj, prej rreth 15 vitesh është një ndër emrat më të lakuar të botës së krimit në vend, pas një rritjeje të madhe të pasurisë së tij prej kompanive të basteve që ka pasur në pronësi. Disa muaj më parë ne urdhë të SPAK u sekuestruan të gjitha pasuritë në emër të tij dhe familjarëve.
Akuzat e supozuara
I arrestuar për llogari të këtij operacioni është Oltian Bistri, aktualisht me detyrë specialist në Drejtorinë e Krimeve në Volum, një organi i ri i dalë pas ndryshimeve në strukturën e Policisë së Shtetit. Bistri vetëm 4 ditë më parë u lirua nga detyra e drejtorit të Forcave të Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe nxjerrje e akteve sekrete hetimore.
Në pranga ka përfunduar prokurori i Kukësit Xhevahir Lita, i cili dyshohet se ka mbyllur dosjet e ngjarjeve, anëtari i bandës së Bajrave në Shkodër. Më herët ai mbante detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Tiranës.
Biznesmeni Pëllumb Gjoka është arrestuar për vrasje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar, në një ngjarje që ndodhi në qytetin e Shkodrës si dhe sigurim të automjeteve për të vrarë dy shtetas të tjerë, një ndër ta Ibrahim Liçi.
Ndërsa emri i biznesmenit Pëllumb Gjoka është përmendur në të shkuar nga kryedemokrati Sali Berisha. Ky i fundit, teksa fliste për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit në Shkodër, e akuzonte Gjokën si një prej personave që ka mbajtur “nën pushtim” qendrat e votimit në Velipojë.
Asmer Bilali akuzohet për sigurim kushtesh dhe mjetesh për të kryer vrasje të ngelur në tentativë në dëm të shtetasve Dorjan Duli, Ibrahim Lici dhe Genci Tafili, në bashkëpunim të veçantë me grupin e strukturuar kriminal. Genc Tafili është i dënuar për vrasjen e bujshme të drejtorit të policisë Shkodër, Arben Zylyftari në vitin 2000.
Ardit Hasanbengaj rezulton i përjashtuar nga Policia e Shtetit në vitin 2022. Ai së fundmi ka mbajtur detyrën e shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat. Ai u shkarkua nga policia në nëntor të vitit të shkuar pas shkarkimit të zinxhirit komandues të policisë së Beratit, pas zbulimit të serave me kanabis në këtë qark, në fshatin Rërëz. Hasanbengaj rezulton të ketë qenë më herët punonjës policie edhe në Shkodër.
Kontrolle të “Bajrat”, shpallet në kërkim Behar Bajri
Burime nga policia e Shkodrës, thotë se autoritetet kanë ushtruar kontroll në banesat e fisit Bajri. Policia mësohet se ka marrë në pyetje Ilir dhe Safet Bajrin, ndërsa në kërkim është shpallur Behar Bajri.
I ekstraduar nga Holanda në vitin 2019-n, Behar Bajri u la i lirë nga gjykata e Shkodrës një vit më pas, në 2020-n. Në atë kohë, gjykata vendosi ta lërë në masën detyrim paraqitje, pasi mungonin provat për akuzat që kishte ngritur prokuroria, që ishin; vrasje, trafik armësh, gjobëvënie dhe pjesë e grupit të strukturuar kriminal.
Behar Bajri u arrestua në Holandë më 22 shtator 2018, në operacionin “Oaz” por u akuzua edhe për vrasjen e gruas së tij në vitin 2002. Ndaj tij janë ngritur dyshime edhe për ngjarje të tjera të rënda.
Në të shkuarën anëtarët e fisit Bajri janë akuzuar vepra të ndryshme kriminale, nga vrasjet, trafiku narkotikëve e deri tek gjobëvënia.
Teksa SPAK pritet që të dalë në një konferencë për shtyp, për të dhënë detaje dhe konfirmuar si numrin e të arrestuarve ashtu edhe identitetet e tyre, një reagim e pati Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Ai përshëndeti këtë operacion dhe konfirmoi se janë arrestuar “eksponentë të krimit të organizuar, zyrtarë të Policisë së Shtetit si edhe prokurorë të implikuar me krimin”.
Nga megaoperacioni janë sekuestruar një sërë provash materiale në interes të hetimit, si 3 automatik, 6 pistoleta, një arsenal armësh, paruke dhe maska. Policia nuk ka ende një reagim zyrtar dhe ende nuk dihen rrethanat dhe akuzat ndaj tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.