Shendet

Operacion historik, veshka e derrit transplantohet te njeriu

Pacienti, një burrë 62-vjeçar, është duke u rikuperuar nga operacioni dhe mjekët thanë se presin ta dërgojnë në shtëpi këtë fundjavë.

Të shtunën e kaluar, Richard Slayman bëri histori: Ai u bë personi i parë i gjallë që mori një veshkë të modifikuar gjenetikisht nga një derr, thanë të enjten kirurgët në Spitalin e Përgjithshëm Massachusetts në Boston.

Slayman, 62, veshkat e të cilit kishin dështuar dhe i cili kishte qenë në dializë, iu nënshtrua një operacioni katër orësh të shtunën për të marrë veshkën e derrit, tha doktori i tij, Winfred Williams, shefi i departamentit të nefrologjisë në Mass General.

Ekipi në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts ka kryer transplantin e parë në botë të veshkës së derrit të modifikuar gjenetikisht tek një pacient.

Spitali konfirmoi se është hera e parë që një veshkë derri e modifikuar gjenetikisht është transplantuar në një person të gjallë. Më parë, veshkat e derrit janë transplantuar përkohësisht në donatorë të vdekur klinikisht.

Doktorët thonë se deri më tani, trupi i tij nuk e ka refuzuar veshkën, duke rritur shpresat edhe më shumë.

Gjithashtu, dy burra kryen transplant zemre nga derrat, por të dy vdiqën brenda disa muajsh. “Pacienti, Richard Slayman nga Weymouth, Massachusetts, po shërohet dhe pritet të dalë nga spitali së shpejti”, thanë mjekët.

Më shumë se 100,000 njerëz janë në listën kombëtare spitalore të pritjes në SHBA për një transplant, shumica prej tyre pacientë të veshkave dhe mijëra vdesin çdo vit para se t’u vijë radha. Ky operacion konsiderohet një shpresë e madhe për ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë